Tenderët e kotë dhe të fryrë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kanë zhvatur prej shumë vitesh buxhetin e shtetit. Një pjesë e zyrtarëve dhe firmave pranë tyre janë goditur nga Prokuroria e Posaçme, me në krye Ermal Beqirin dhe Mirlinda Karçanajn, pa harruar edhe Ergys Agasin dhe të tjerë.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e kësaj bande, si Daniel Shima apo Gerond Meçe, të cilët janë konsideruar deri më tani si “viktima”, pavarësisht se të dy, bashkë ose veç e veç, kanë krijuar një rrjet të madh firmash e pasurish për të pastruar paratë, nuk janë goditur. Nëse Danieli, nga një rrogëtar i thjeshtë del me prona miliona euro, Gerond Meçe, nga frika e SPAK-ut ia kaloi aksionet e firmës së tij, nënës së moshuar.
Lëvizje të dëshpëruara, pasi Vox News, por edhe organet ligjzbatuese i kanë faktuar dhe shumë shpejt dhe ata, njësoj si grupi i parë, pritet që të goditet. Megjithatë, kjo kohë e ndërmjetme ka qenë frytdhënëse sidomos për Meçen, i cili nëpërmjet firmës së tij, ABS, vijon të fitojë tendera nga AKSHI. Janë pikërisht ato tendera të kota, për të cilat hidhen miliona euro dhe fituesi dihet, ose më saktë është i paracaktuar.

Vox News ka siguruar të tjera dokumente për lehtësinë me të cilën “viktima” ka fituar tenderin e radhës te AKSHI. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “përmirësimi i sistemit të menaxhimit të informacionit të kadastrës së vreshtit”, me një fond prej 41,666,660 lekë, ose rreth 420 mijë euro.
Nisur edhe nga objekti, duket se bën fjalë vetëm për përmirësim dhe jo ngritje sistemi. Ky sistem është ndërtuar vite më parë dhe tashmë kompania në fjalë, do e përmirësojë. Fitues doli “Advanced Busines Solutions – ABS” me adresë në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë. Data e nënshkrimit të kontratës ka qenë 3 shkurti i vitit 2026.
Vox News ka siguruar informacione nga disa institucione se dy “pengjet” e dosjes së ASKHI-t, ish-nëndrejtori Daniel Shima dhe biznesmeni Gerond Meçe, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të pastruar paratë që zhvatën nga tenderat. Të dy, bashkë ose veç e veç, kanë krijuar një rrjet kompanish, duke xhiruar sa te njëra e te tjetra dhjetëra miliona euro.
Para, gjatë apo pas aksionit të SPAK-ut, Shima dhe Meçe kanë krijuar kompani të reja, kanë bërë transaksione, blenë e shitën prona, morën leje ndërtimi, kanë kryer blerje apo shitje kuotash si dhe akte dhurimi. Ka dyshime të forta se të gjitha këto veprime po bëhen me një qëllim; pastrimin e parave!
Përfituesi më i madh i këtyre procedurave ka qenë padyshim kompania “Advanced Business Solution”, me pronar Gerond Meçen, teksa Daniel Shima ka qenë nëndrejtor. Sipas të dhënave zyrtare, të hulumtuara nga redaksia jonë, ABS i Meçes ka përfituar vitet e fundit shifrën e frikshme të rreth 40 milionë eurove.

Këto tendera, shumica e të cilave është fituar pa asnjë garë nga ABS, madje duke u skualifikuar edhe ofertat më të ulta, kanë tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme. Burime nga ky organ akuze thanë për Vox News se, në atë institucion kanë shkuar informacione apo referime për “marrëveshje” apo “paracaktime” tenderash nga titullarët e AKSHI-t për “Advanced Business Solution”.
Madje, kanë nisur edhe verifikimet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila ka marrë në “sitë” të gjithë tenderët e AKSHI-t. Por, pikërisht në këtë kohë dhe me SPAK-un nëpër këmbë, Gerond Meçe bën një lëvizje, duke ia kaluar aksionet e kompanisë ABS nënës së tij të moshuar. Kontrata e dhurimit është bërë në muajin maj të vitit 2025, ku Gerondi i kalon Shegushit vetëm pronësinë, teksa administratorët ishin të njëjtët, ndoshta nga “frika” e Prokurorisë së Posaçme.
Aktualisht, aksionet e kësaj firme janë ende në emër të 75 vjeçares Shegush Meçe, e lindur në Elbasan dhe banuese në Tiranë. Një lëvizje për t’ia hedhur “fajin” nënës së tij të moshuar, teksa hetimet e Prokurorisë së Posaçme duhet të përqendroheshin te ABS dhe jo te “bijat” e tij. Por, hapja e kompanive apo edhe transaksionet nga njëra kompani në tjetër gjithmonë lënë gjurmë.
Nëse do të shohësh tenderat e AKSHI-t, Meçe konkurronte me ABS-në që ia kaloi nënës. Por, paralelisht, ai hapi edhe një tjetër kompani, të quajtur “Artificial Intelligence Business Solutions”, duke kaluar në këtë firmë dhjetëra miliona euro. Të dhënat që ka siguruar Vox News flasin se nga ABS te AIBS, gjatë 5 viteve të fundit, kanë kaluar rreth 15 milionë euro.

Në qershor të muajit 2025, disa javë para se të merrej “peng” nga grupi i Beqirit dhe Agasit, Gerond Meçe do të deklaronte bilancin e kompanisë së dytë, AIBS. Ai shkruan në dokumente se ka dalë me një fitim prej 630 mijë eurosh, ndërkohë që ndau një divident në shumën e 1.7 milionë eurove, nga fitimet e mëparshme.
Të dhënat e tatimeve flasin se ajo kompani, megjithëse nuk fitonte tendera, xhironte dhjetëra miliona euro, me pretekste “punë IT-je”. Kalimet e këtyre pagesave nga njëra dorë në tjetrën, dyshohet se janë bërë për të pastruar paratë e tenderave të AKSHI-t, duke u xhiruar më pas në kompani të afërta me Meçen apo edhe me drejtuesit e AKSHI.
Informacionet e lartpërmendura janë nga disa burime dhe dokumente zyrtare. Në to shihet qartë se “pengu”, Gerond Meçe, ka lëvizur miliona euro. Hetimet e mëpasshme të Prokurorisë së Posaçme mund të zbulojnë shumëçka, nëse mes Meçes apo Shimës ka pasur lidhje, nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe ku përfunduan dhjetëra miliona euro, nga taksat e shqiptarëve. /voxnews.al














