Një avion transporti ushtarak C 130 Hercules i Forcave Ajrore të Bolivisë është rrëzuar gjatë uljes pranë kryeqytetit, duke shkaktuar të paktën 20 viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve vendase.
Ngjarja ndodhi në zonën pranë aeroportit ndërkombëtar El Alto, ku avioni doli nga pista dhe përfundoi në një fushë pranë një rruge të frekuentuar.
Sipas informacioneve paraprake, avioni transportonte kartëmonedha të sapoprintuara nga banka qendrore e vendit. Pas daljes nga pista, pjesë të avionit dhe ngarkesa u shpërndanë në zonë, duke përfshirë edhe disa automjete që ndodheshin pranë vendit të aksidentit.
Pamjet nga vendngjarja treguan qytetarë që tentonin të mblidhnin kartëmonedhat e shpërndara, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Autoritetet deklaruan më vonë se paratë nuk kishin vlerë monetare për shkak të mungesës së elementeve ligjore dhe u asgjësuan për arsye sigurie.
Sipas dëshmitarëve dhe zyrtarëve, kushtet e motit në momentin e uljes ishin të vështira, me breshër, stuhi dhe dukshmëri të ulët, faktorë që dyshohet se mund të kenë ndikuar në aksident. Shkaku i saktë mbetet ende nën hetim.
Ministria e Mbrojtjes së Bolivisë ka nisur një hetim zyrtar për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa operacionet në aeroport u pezulluan përkohësisht. Disa anëtarë të ekuipazhit rezultuan fillimisht të zhdukur, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan kërkimet gjatë natës./skyweb.al
















