Pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë nisur të reflektohen edhe në ekonominë shqiptare, duke goditur drejtpërdrejt sektorin e ndërtimit.
Ndërsa vala e parë e shtrenjtimit u ndje tek karburantet, tani presioni po kalon tek materialet e ndërtimit, duke rritur kostot për kompanitë dhe duke rihapur diskutimin për një rritje të re të çmimeve të apartamenteve.
Në një intervistë për Tv Scan, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, paralajmëroi se disa nga materialet kryesore të ndërtimit kanë nisur të shtrenjtohen me ritme të shpejta dhe se tendenca mund të përshpejtohet në javët në vijim.
Sipas tij, brenda vetëm dy javësh çmimi i naftës është rritur me rreth 15 deri në 20 për qind, ndërsa duraluminet dhe plastikat kanë pësuar rritje nga 5 deri në 8 për qind.
Edhe çmimi i hekurit, një nga komponentët kryesorë të ndërtimit, po rritet me rreth 5 për qind në javë, një ritëm që sipas ndërtuesve mund të çojë në një shtrenjtim deri në 40 për qind të këtij materiali nëse trendi vazhdon.
Rritja e kostove të lëndëve të para pritet të reflektohet drejtpërdrejt në çmimin për metër katror të apartamenteve. Ndërtuesit theksojnë se materialet bazë si hekuri, çimentoja, betoni dhe energjia janë pjesë e pandashme e kostos së ndërtimit, ndaj çdo rritje e tyre përkthehet automatikisht në kosto më të larta për projektet.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo situatë po i vë kompanitë e ndërtimit përballë vështirësive financiare dhe mund të çojë në rritje të çmimeve të njësive rezidenciale dhe tregtare në treg.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë edhe një realitet tjetër: fluksi i parave në këtë sektor nuk është më në nivelet e viteve të fundit. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë nga Vrojtimi i Biznesit dhe Konsumatorit tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit në sektorin e ndërtimit.
Në muajin shkurt, treguesi i besimit në ndërtim ra me 6.5 pikë përqindje, një nga lëvizjet më të forta mujore të regjistruara në këtë sektor.
Megjithëse niveli i treguesit mbetet ende rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë, rënia e fundit tregon për një përkeqësim të perceptimit të bizneseve për aktivitetin aktual dhe për porositë në vazhdim.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, ndikimi kryesor në këtë rënie ka ardhur nga dobësimi i aktivitetit ndërtues dhe pritjet më të rezervuara për kontratat në vijim.
Në të njëjtën kohë, treguesi i ndjesisë ekonomike në tërësi ra me 2.5 pikë në shkurt, ndërsa besimi në industri shënoi rritje, duke e bërë edhe më të dukshme dobësimin relativ të sektorit të ndërtimit në raport me pjesën tjetër të ekonomisë.
Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se sinjalet negative janë përqendruar kryesisht tek investimet dhe aktiviteti i bizneseve.
Ecuria e muajve të fundit sugjeron se ndërtimi mund të hyjë në një fazë më të moderuar gjatë këtij viti. Duke qenë një nga sektorët kryesorë që ka mbështetur rritjen ekonomike në vitet e fundit, çdo ngadalësim i tij pritet të reflektohet edhe në ritmin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare. /skyweb.al















