Sipas njoftimit zyrtar, devijimi i trafikut do të nisë nga data 13 mars dhe do të zgjasë deri në orët e para të datës 15 mars, ndërsa disa nga kufizimet kryesore të qarkullimit do të aplikohen gjatë datës 14 mars, kur zhvillohen aktivitetet kryesore.
Ndër rrugët që do të mbyllen për qarkullimin e automjeteve janë segmentet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe disa rrugë të tjera në zonën qendrore të qytetit.
Po ashtu, nga data 13 mars në mesditë deri më 15 mars në orën 02:00 do të ketë kufizime në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te rruga “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri te rruga “Gjin Bue Shpata”.
Bashkia e Tiranës bën me dije se janë planifikuar një sërë aktivitetesh festive për të gjitha grupmoshat, të cilat do të nisin që në orët e para të ditës së 14 marsit dhe do të vazhdojnë deri vonë pas mesnate.
Për të lehtësuar qarkullimin, automjetet do të orientohen në rrugë alternative si “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, bulevardi “Zhan D’Ark”, bulevardi “Bajram Curri”, si dhe rrugët “Myslym Shyri” dhe “Abdi Toptani”.
Ndërkohë, edhe disa linja të transportit urban do të devijojnë itinerarin. Linja nr. 13 “Tirana e Re” dhe linja nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” do të devijojnë përkohësisht në zonën e sheshit “Wilson” dhe në bulevardin “Zogu I”. /skyweb.al
















