Gjidhënia nuk është vetëm një mënyrë ushqyerjeje për foshnjën, por edhe një faktor i rëndësishëm mbrojtës për shëndetin e fëmijës dhe të nënës. Studimet tregojnë se ajo mund ta mbrojë nënën edhe nga tumori i gjirit. Kjo ndodh sepse prodhimi i qumështit ndihmon në krijimin e një lloj “mburoje” biologjike kundër kancerit të gjirit, ndërkohë që aktivizon dhe forcon mekanizmat mbrojtës të sistemit imunitar, duke i dhënë përfitime edhe bebit.
Prej kohësh studiuesit po përpiqen të kuptojnë mekanizmin se si ndodh kjo mbrojtje. Sipas kërkimeve të fundit, një rol kyç luajnë qelizat T. Këto janë qeliza të bardha të gjakut që zakonisht kanë funksion të identifikojnë dhe eliminojnë qelizat e infektuara apo tumorale. Përveç kësaj, ato duket se kanë ndikim edhe në procesin e prodhimit të qumështit.
Në të njëjtën kohë, është zbuluar se qelizat T kontribuojnë edhe në zhvillimin e sistemit imunitar të të porsalindurit. Ato ndihmojnë në krijimin e një mbrojtjeje imunitare më të fortë dhe në formimin e një mikrobiote të shëndetshme në zorrët e foshnjës.
Edhe pse studimet vazhdojnë për të kuptuar më mirë këtë mekanizëm, theksi vihet te përfitimet e shumta të gjidhënies. Ajo përmirëson shëndetin si të foshnjës ashtu edhe të nënës, duke ofruar mbrojtje specifike ndaj sëmundjeve serioze si kanceri i gjirit dhe duke forcuar në mënyrë të qëndrueshme sistemin imunitar të bebit. /skyweb.al















