Qeveria gjermane pritet të paraqesë gjatë kësaj jave në parlament një projektligj të ri që synon forcimin e kontrollit mbi çmimet e karburanteve. Nisma parashikon që kompanitë e naftës, në rast dyshimesh për abuzim, të detyrohen të provojnë se kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Sipas ministres së Ekonomisë, Katherina Reiche, Autoriteti Federal i Kartelit do të pajiset me kompetenca të zgjeruara për të monitoruar më shpejt tregun dhe për të ndalur praktikat e mbifaturimit në tregtinë me shumicë.
Rritja e ndjeshme e çmimeve të karburanteve, e lidhur me tensionet në Ngushticën e Hormuzit pas përplasjeve mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, po ndikon fort në ekonominë gjermane, e cila tashmë përballet me sfida industriale dhe tregtare.
Ministrja Reiche theksoi se çmimet në pikat e karburantit në Gjermani janë rritur më shumë se mesatarja europiane dhe se sektori nuk ka dhënë shpjegime të mjaftueshme për këtë situatë.
Projektligji parashikon që, në rast hetimi, kompanitë të dorëzojnë të dhëna të detajuara mbi mënyrën e formimit të çmimeve, duke kaluar barrën e provës nga shteti te bizneset.
Ndër masat e tjera të paralajmëruara janë edhe përdorimi i një pjese të rezervave strategjike, si dhe kufizimi i rritjes së çmimeve nga pikat e karburantit në maksimum një herë në ditë.
Ndërkohë, qeveria nuk planifikon për momentin ulje të taksave mbi energjinë dhe karbonin, duke theksuar nevojën për stabilitet financiar. Megjithatë, është lënë e hapur mundësia që të ardhurat shtesë nga TVSH-ja të rikthehen tek qytetarët.
Edhe pse aktualisht nuk ka mungesa në furnizimin me naftë, gaz apo benzinë, autoritetet po shqyrtojnë krijimin e një rezerve strategjike gazi të ndarë nga tregu, e cila mund të vihet në funksion që dimrin e ardhshëm. /skyweb.al
















