Në një takim me operatorët e hidrokarbureve, Karakaçi theksoi se situata e krijuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nuk ka ndikuar në furnizimin e Shqipërisë, pasi vendi përdor kanale alternative për importin e karburanteve.
Sipas tij, fokusi kryesor i institucioneve është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me produkte hidrokarbure. Për këtë arsye, kompanive që operojnë në treg u është kërkuar të mbajnë rezerva të detyrueshme, të përllogaritura mbi bazën e xhiros ditore të vitit të kaluar. Njëkohësisht, strukturat në terren janë angazhuar për të verifikuar zbatimin e këtij detyrimi brenda afatit të përcaktuar.
Ministri paralajmëroi edhe një ndryshim të rëndësishëm në menaxhimin e rezervave të naftës. Brenda pak javësh pritet miratimi i projektligjit të ri për rezervat e sigurisë hidrokarbure, i cili parashikon krijimin e një Agjencie Shtetërore të posaçme.
Ndryshe nga skema aktuale, ku rezervat mbahen nga kompanitë tregtare, me ligjin e ri ato do të administrohen nga shteti përmes kësaj agjencie, e cila do të sigurojë dhe menaxhojë një rezervë minimale prej 90 ditësh për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në çdo situatë.
Karakaçi theksoi se kjo nismë është pjesë e një plani afatgjatë dhe synon të përputhë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, duke rritur sigurinë energjetike të vendit.
Sa i përket çmimit final të karburanteve, ministri nënvizoi se ai ndikohet kryesisht nga kostoja e importit, e cila mbetet e luhatshme për shkak të zhvillimeve në tregjet globale. /skyweb.al
















