Sociologia Leah Ruppanner shpjegon per korrespondenten e lartë të shëndetit në BBC, Melissa Hogenboom, për arsyen pse gratë vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të barrës mendore të menaxhimit të shtëpisë dhe pse të kuptuarit e llojeve të ndryshme të kësaj pune mendore është çelësi për të reduktuar lodhjen ekstreme.
Në botën e sotme me ritëm të shpejtë, shumë gra përballen me një barrë të padukshme por dërrmuese të njohur si “ngarkesa mendore”. Kjo është puna mendore shpesh e panjohur që kërkohet për të mbajtur funksionale jetën familjare dhe shtëpiake – nga organizimi i kujdesit për fëmijët dhe planifikimi i ushqimeve të shëndetshme deri te kërkimi i aktiviteteve argëtuese.
Leah Ruppanner, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Melburnit në Australi dhe autore e librit Drained, shpjegon se nuk ekziston vetëm një formë e ngarkesës mendore, por tetë lloje të ndryshme. Nga “krijimi i magjisë” te “meta-kujdesi”, ajo thotë se shumë prej tyre janë “pa kufij” dhe të vazhdueshme. Edhe pse burrat po kontribuojnë më shumë në shtëpi, gratë ende mbajnë në mënyrë dërrmuese këtë punë të fshehur, e cila shpesh çon në rraskapitje.
Por kjo nuk duhet të jetë kështu. Kur kuptojmë se ndarja e kësaj pune mendore përmirëson shëndetin, mirëqenien dhe marrëdhëniet tona, kjo mund të inkurajojë çiftet drejt një balance më të drejtë.
Si e përkufizon ngarkesën mendore?
Është kur mendimi yt ka një shtresë emocionale, dhe kjo e bën të lodhshme. Ndonjëherë mund të sjellë emocione pozitive kur gjërat shkojnë mirë, por shpesh është e kundërta , një punë mendore emocionale ku vazhdimisht mendon dhe nuk ka fund. Nuk e merr me vete rrobat për t’i larë kur del për shëtitje, por ngarkesën mendore po.
Tetë llojet e ngarkesës mendore:
Organizimi i jetës
Planifikimi i përditshëm për të mbajtur shtëpinë në rregull.
Mbështetja emocionale
Kujdesi për ndjenjat e të tjerëve dhe vëmendja ndaj gjendjes së tyre emocionale.
Mirëmbajtja e marrëdhënieve
Ruajtja e lidhjeve me familjen, miqtë dhe partnerin.
Krijimi i momenteve magjike
Organizimi i traditave dhe momenteve speciale (p.sh. festat).
Ndërtimi i ëndrrave
Mbështetja e të tjerëve për të ndjekur pasionet dhe ambiciet e tyre.
Kujdesi për veten
Ruajtja e shëndetit fizik dhe mendor, si dhe imazhit personal.
Siguria
Shqetësimi për sigurinë e familjes dhe komunitetit, real ose i imagjinuar.
Meta-kujdesi
Reflektimi mbi jetën dhe vlerat, dhe nëse po jetojmë sipas tyre.
Mesazhet kryesore nga studimi:
Fillova të studioja ngarkesën mendore pjesërisht sepse ndjeva sikur kishte diçka që nuk po e kapnim. Kështu që kam studiuar gjininë, punën, familjen, punët e shtëpisë dhe ndarjet familjare për dekada të tëra. Edhe pse vazhdonim të shihnim se burrat po bënin më shumë në shtëpi, vazhdonim të shihnim këtë lëvizje drejt progresit, kishte diçka që thjesht nuk po funksiononte, diçka që nuk po e kapnim, që nuk po e matnim. Kjo gjë është ngarkesa mendore. Ajo që isha e vendosur të bëja ishte të na jepja një kuptim të qartë se çfarë është.
Sa e rëndë është kjo barrë?
Shumica e nënave ndihen të tejlodhura. Ato kanë energji vetëm për të përballuar emergjenca, por jo për të përfituar nga mundësitë e jetës.
Si mund të reduktohet kjo ngarkesë?
Fuqizimi dhe edukimi i grave ndihmon në ndarjen më të barabartë të punëve.
Kjo përmirëson marrëdhëniet dhe sjell përfitime për të gjithë,jo vetëm për gratë.















