Një burim zyrtar pranë stafit të Vangjel Tavos, i tha Skyweb.al përmes telefonit se vendimi për ngritjen e shoqërisë “Himara Invest” sh.p.k. nuk ka kaluar ende në Këshillin Bashkiak, pikërisht për shkak të reagimeve të forta që shkaktoi projekti pas raportimeve mediatike.
Sipas të njëjtave burime, në dokumentacionin fillestar ishte parashikuar që kjo shoqëri të administronte pronat e bashkisë me synim gjenerimin e të ardhurave, por iniciativa u ndal përpara se të formalizohej.
Megjithatë, një investigim i publikuar disa javë më parë nga Skyweb.al, duke iu referuar burimeve brenda Këshillit Bashkiak, ngrinte dyshime të forta mbi qëllimin real të kësaj strukture.
Sipas këtij investigimi, “Himara Invest” synonte të vendoste nën kontroll të plotë pronat publike të bashkisë dhe më pas t’i rishpërndante ato te biznesmenë nga Tirana me lidhje të forta me kryetarin e bashkisë dhe maxhorancën.
“Bashkia Himarë ka në pronësi shumë prona në zona strategjike të bregdetit. Projekti do të ecë në dy drejtime. I pari është marrja nën administrim e pronave që janë dhënë më herët me qira tek individë apo biznese, me argumentin se tashmë do t’i administrojë kjo sh.p.k. në emër të bashkisë. Pas një periudhe një ose dyvjeçare administrimi, ato mund të ridhen me qira tek individë apo biznese pranë kryetarit apo deputetëve të qarkut”, deklaroi burimi.
Sipas tij, kjo skemë do të shmangte rezistencën e subjekteve aktuale, pasi në praktikë ndërhyrja do të realizohej nga vetë bashkia.
Dimensioni i dytë lidhej me pronat në konflikt pronësie.
“Ka shumë prona ku pronësinë e pretendojnë bashkia dhe privatët. Kur çështja është në gjykatë, një privat tjetër nuk mund të hyjë drejtpërdrejt. Fillimisht duhet ta marrë pronësinë ‘Himara Invest’ dhe më pas ajo mund t’u kalojë individëve pranë kryetarit apo grupeve të interesit”, theksoi burimi për Skyweb.al.
Kjo skemë, sipas tij, lidhej edhe me një ide të mëparshme të artikuluar nga kryeministri Edi Rama për shfrytëzimin ekonomik të aseteve të bashkive, por që në këtë rast dyshohej për përdorim të deformuar në nivel lokal.
Në të njëjtën kohë, Bashkia Himarë nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës zyrtare për informacion të dërguar nga redaksia mbi funksionimin e “Himara Invest”, kategoritë e pronave që do të përfshiheshin dhe mekanizmat e kontrollit.

Kjo çështje merr rëndësi të veçantë në një zonë si Himara, ku konfliktet për pronën janë të shumta dhe të pazgjidhura prej vitesh.
Banorët vendas kanë protestuar vazhdimisht për rastet e mbivendosjes së pronësisë dhe për shfaqjen e pronarëve të rinj nga jashtë zonës, ndërsa shumë familje vijojnë betejat në gjykata për tokat e trashëguara.
Në këtë kontekst, çdo iniciativë për administrimin e pronave publike shihet si një çështje me interes të lartë publik dhe potencial për konflikt social.
Redaksia do të vijojë ndjekjen e kësaj çështjeje, ndërsa i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë raste të ngjashme.
Ndërkohë, mbeten ende pa përgjigje një sërë pyetjesh kyçe drejtuar Bashkisë Himarë: mbi cilat modele ndërkombëtare është bazuar krijimi i kësaj shoqërie, cilat prona do të kalonin nën administrim, çfarë mekanizmash kontrolli do të kishte dhe nëse parashikoheshin zhvillime apo partneritete me sektorin privat në këto asete.
Skyweb.al i është drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit në lidhje me refuzimin e përgjigjes nga Bashkia Himarë, e cila duket se është e zënë edhe me përgatitjen e tenderit të radhës për aktivitetin e çeljes së sezonit turistik, i cili vjet iu dha një shitësi patatesh nga Pogradeci, ndërsa redaksia do të vijojë ta ndjekë edhe këtë vit për të parë nëse do të qendrohet te patatet apo do të kalohet te ndonjë kompani riciklimi hekurishtesh. /skyweb.al
















