Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të lehtë sigurie, pavarësisht garancisë pasurore prej 50 mijë eurosh.
Meta ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me disa akuza të ngritura nga SPAK, të lidhura me korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Sipas dosjes hetimore, një nga çështjet kryesore është ajo e njohur si CEZ-DIA, ku prokuroria pretendon se Meta ka ushtruar ndikim për të favorizuar një kompani private në një kontratë me CEZ Shpërndarje, duke përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme.
Një tjetër episod lidhet me ndikim të paligjshëm në sektorin e telekomunikacionit, ku sipas hetimeve Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar përqindje nga fitimet e një kompanie dhe kanë përdorur shpenzime të padeklaruara.
Në dosje përfshihet edhe një marrëdhënie e dyshuar korruptive me biznesmenin Samir Mane, ku sipas SPAK janë dhënë favore në këmbim të ndërhyrjeve në vendimmarrje dhe ndryshime ligjore.
Një nga provat kryesore që mbështet akuzën e korrupsionit lidhet me ndryshimet në ligjin e minierave, ku sipas SPAK këto ndërhyrje janë bërë në favor të interesave private dhe në këmbim është përfituar një vilë në një kompleks rezidencial .
Hetimet përfshijnë gjithashtu kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas prokurorisë nuk janë deklaruar plotësisht, si dhe dyshime për pastrim parash në blerjen e një prone në Tiranë dhe mosdeklarim të shpenzimeve mjekësore në vlera të larta.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
Vendimi i gjykatës për të mos ndryshuar masën e sigurisë për Metën vjen në një ditë simbolike për të, pasi më 24 mars ai shënon 57-vjetorin e lindjes. /skyweb.al















