Çmimet e naftës u rikthyen në rritje të martën, pas rënies së fortë një ditë më parë, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të krijojnë pasiguri në tregjet globale.
Kontratat e naftës Brent u rritën me 4 dollarë, ose rreth 4%, duke arritur në 103.94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u rrit me 3.49 dollarë, ose 4%, në nivelin 91.62 dollarë për fuçi.
Lëvizja vjen pasi Irani mohoi kategorikisht se ka zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit, duke kundërshtuar deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte sugjeruar se një marrëveshje mund të arrihej së shpejti.
Të hënën, tregjet reaguan me rënie mbi 10%, pasi Trump deklaroi se kishte urdhëruar shtyrjen për pesë ditë të sulmeve ndaj termocentraleve iraniane dhe foli për kontakte “produktive” me zyrtarë iranianë.
Analistët vlerësojnë se kjo lëvizje uli përkohësisht presionin mbi çmimet, por paqartësia mbetet e lartë. Sipas tyre, shtyrja e sulmeve ka zbutur vetëm përkohësisht ndikimin e rrezikut gjeopolitik në treg.
Nga ana tjetër, Teherani i hodhi poshtë pretendimet për negociata, duke i cilësuar si përpjekje për manipulim të tregjeve financiare, ndërsa Garda Revolucionare njoftoi për sulme të reja ndaj objektivave amerikane dhe i konsideroi deklaratat e Trump si operacione psikologjike.
Parashikimet e tregut mbeten të paqarta. Sipas Bankës së Investimeve Macquarie, çmimet pritet të qëndrojnë minimalisht në intervalin 85-90 dollarë për fuçi dhe mund të rikthehen në nivelin 110 dollarë, nëse tensionet vijojnë dhe Ngushtica e Hormuzit mbetet e kufizuar.
Sipas të njëjtit vlerësim, në rast se kjo rrugë kyçe e furnizimit mbetet e bllokuar deri në fund të prillit, nafta Brent mund të arrijë deri në 150 dollarë për fuçi./skyweb.al
















