Pak javë më parë, Skyweb.al raportoi për një situatë të pazakontë në sportelet e Postës Shqiptare, ku institucioni kishte publikuar në faqen zyrtare në Facebook një njoftim për pranimin e aplikimeve për kredi në emër të IUTE Credit, duke u kthyer praktikisht në një filial të kësaj kompania të kredive me interesa të larta.
Vetëm pak minuta pas publikimit të denoncimit nga Skyweb.al, Posta Shqiptare e fshiu postimin, por sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, aktiviteti i pranimit të aplikimeve për kredi në emër të IUTE Credit ka vijuar normalisht.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, grupi i hakerave “Homeland Justice” ka njoftuar për një sulm ndaj databazës së Postës Shqiptare, duke pretenduar se kanë marrë në kontroll të gjitha të dhënat që lidhen me këtë institucion.
Përveç informacionit mbi shpërndarjen e pakove dhe dokumenteve, Posta Shqiptare administron edhe të dhëna të ndjeshme, përfshirë informacion mbi pensionet, por nisur edhe deklarimi i vetë institucionit, disponon edhe të dhëna që lidhen me kredimarrësit e IUTE Credit.
Sipas të dhënave që ka konsultuar redaksia nga publikimi hakerave, dosja e 27 në radhë mban pikërisht të dhëna mbi aplikimet për kredi në sportelet e Posta Shqiptare me emrin “Komunikim mbi aplikim për kredi…”.

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze nëse në duart e hakerave kanë përfunduar edhe të dhëna personale dhe financiare të qytetarëve që kanë aplikuar për kredi përmes Postës Shqiptare, përfshirë informacione mbi llogaritë dhe identitetin e tyre.
Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm në sfondin e një skandali të mëparshëm që lidhej me IUTE Credit, ku një person kishte mashtruar dhjetëra gra në Lezhë dhe Shkodër duke përdorur aplikacionin MyIUTE.
Problemi në Lezhë dhe Shkodër nxori në pah probleme serioze në verifikimin e kredimarrësve dhe në mënyrën e funksionimit të aplikacionit.
Në këto kushte, sulmi i fundit kibernetik dhe lidhja e Postës Shqiptare me procesin e aplikimit për kredi shtojnë shqetësimet për sigurinë e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve. /skyweb.al















