Pas vetëm një dite uljeje, çmimi i naftës në vend është rritur sërish, ndërsa vendimi i fundit i Bordit të Transparencës vjen pas kundërshtimeve të forta nga importuesit, të cilët paralajmëruan se përllogaritjet e mëparshme ishin bërë gabim dhe nën kosto.
Në mbledhjen e zhvilluar mëngjesin e sotëm, Bordi vendosi rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë për litër dhe të benzinës me 6 lekë për litër në tregun e pakicës. Si rezultat, nafta nga 203 lekë ka shkuar në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë në 181 lekë për litër.
Vendimi i ri vjen vetëm një ditë pasi Bordi kishte ulur çmimet, duke e çuar naftën nga 214 në 203 lekë për litër dhe benzinën nga 199 në 175 lekë për litër, nivele që qëndruan për disa ditë në treg.
Por këto çmime u kundërshtuan nga importuesit e mëdhenj, të cilët në një letër drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ngritën shqetësimin se përllogaritjet ishin të pasakta dhe i detyronin të shisnin nën kosto. Ata kërkuan rishikim të menjëhershëm të metodologjisë, duke paralajmëruar se në të kundërt do të pezullonin furnizimin.
Pas këtij presioni, Bordi u mblodh sërish dhe rishikoi vendimin, duke vendosur çmime të reja si për tregun me shumicë ashtu edhe për atë me pakicë. Sipas vendimit të fundit, në tregun me shumicë nafta do të shitet me 206 lekë për litër dhe benzina me 169 lekë, ndërsa në pakicë nafta 218 lekë dhe benzina 181 lekë për litër. Çmimi i gazit nuk ka pësuar ndryshime.
Rritja e çmimeve në vend vjen në një kohë kur edhe tregjet ndërkombëtare po shënojnë shtrenjtim. Nafta në bursat e huaja është rritur në 112 dollarë për fuçi nga 109 dollarë që ishte një ditë më parë, mes pasigurive për furnizimin për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit. /skyweb.al















