SPAK ka zgjeruar kontrollet në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, duke ushtruar kontrolle në disa prona në Tiranë, Qerret dhe zonën bregdetare të Palasës, ku përfshihen vila të lidhura me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Sipas burimeve, përveç dy vilave të këtyre të fundit në kompleksin Green Coast në Palasë, është kontrolluar edhe një vilë tjetër ngjitur me atë të Agasit, e cila dyshohet se lidhet me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Zhvillimet lidhen me dëshmitë e dhëna nga Daniel Shima, ish-zyrtar i AKSHI-t, i cili në cilësinë e personit që ka dijeni ka dhënë disa deklarime në SPAK, duke ofruar detaje mbi procedurat tenderuese dhe pasuritë e dyshuara të personave nën hetim.
Në bazë të këtyre dëshmive, SPAK ka nisur hetim pasuror ndaj Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasit dhe biznesmenit Ermal Beqiri. Shima ka deklaruar se disa prej pasurive të dyshuara janë vila në Qerret të Kavajës dhe në Palasë, të cilat, sipas tij, përdoren nga Karçanaj, ndonëse të regjistruara në emra të tjerë.
Në lidhje me këto pretendime, Karçanaj është marrë në pyetje nga SPAK dhe ka pranuar se ka qëndruar në këto vila për pushime, por ka mohuar të jetë pronare e tyre.
Ndërkohë, një tjetër vilë në zonën e Qerretit, e kontrolluar nga hetuesit, rezulton e regjistruar në emër të një shtetasi nga Kukësi, i cili është shoqëruar në SPAK për të dhënë shpjegime dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni të plotë mbi pronën.
Pas administrimit të këtyre të dhënave, prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kanë kërkuar dhe realizuar kontrolle në katër banesa: një në Tiranë, ku ndodhet banesa e nënës së Mirlinda Karçanaj dhe ku ajo po qëndron në masën “arrest në shtëpi”, një në Qerret dhe dy në Palasë.
Kontrollet janë kryer me qëllim gjetjen e provave materiale dhe të dhënave që mund të lidhin personat nën hetim me këto pasuri dhe me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Burime bëjnë me dije se në vijim pritet që SPAK të shqyrtojë vendosjen e sekuestros preventive mbi këto prona, ndërsa hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë. /skyweb.al















