Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie, duke paralajmëruar për një rrezik të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri.
Sipas njoftimit, këto grupe mund të synojnë subjekte të lidhura me SHBA-në ose elementë të opozitës iraniane që ndodhen në vend. Po ashtu, theksohet se objektiva potencialë mund të jenë edhe vende të zakonshme të frekuentuara nga publiku.

Ambasada përmend konkretisht ambiente si zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante, të cilat mund të jenë në shënjestër.
Në reagimin e saj, ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të ndjekin informacionet zyrtare për sigurinë.
Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të ambasadës dhe shoqërohet me një apel për kujdes në ambientet publike dhe frekuentimet e përditshme.
















