Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë ngadalësim në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjatë një bashkëbisedimi me studentë, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment pozitiv historik.
Sipas tij, perceptimi për ngadalësim vjen nga “pasqyrat mediatike”, të cilat, siç u shpreh ai, shpesh janë të pasakta për shkak të ritmit të shpejtë të informacionit dhe garës për vëmendje, ku sipas tij mungon verifikimi i fakteve.
“Ne jemi në një moment kur për herë të parë në histori fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha Rama, duke theksuar se vendi nuk ndodhet në kushte që të flitet për frenim të procesit të integrimit.
Kryeministri shpjegoi edhe mënyrën si funksionon vendimmarrja në Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi kalon në dy nivele. Sipas tij, Komisioni Evropian është struktura që vlerëson progresin e vendeve kandidate dhe jep rekomandime, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon Këshillit Evropian, ku kërkohet konsensus i plotë nga të 27 vendet anëtare.
Ai kujtoi se Shqipëria është propozuar tre herë për hapjen e negociatave, por është refuzuar për shkak të kundërshtimit të një vendi anëtar, pavarësisht përmbushjes së detyrimeve sipas Komisionit Evropian.
Rama theksoi se procesi mund të ngadalësohet vetëm në rast se vendi kandidat bën hapa pas apo krijon probleme që sjellin rezerva nga Komisioni ose vendet anëtare, por sipas tij Shqipëria nuk ndodhet në këtë situatë.
Në fund, ai e cilësoi momentin aktual si një mundësi që nuk duhet humbur, duke paralajmëruar se “dera” e Bashkimit Evropian mund të mos qëndrojë gjithmonë e hapur dhe se Shqipëria duhet të bëjë maksimumin për të përfituar nga kjo periudhë. /skyweb.al















