Britanikja “The Telegraph” shkruan në nje artikull me kryetitull për 10 pikat e pushimeve më të mira në Shqipëri, si destinacioni më i ri i udhëtimeve në Evropë. Ky vend ballkanik po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar nga udhëtarët britanikë.
Sipas artikulit tani gjithçka që ju nevojitet është pak frymëzim dhe mund të vizioni një nga 10 pikat emocionuese të Shqipërisë, duke nisur me Tiranën. Kryeqyteti dinamik shqiptar po bën emër si një qytet ku historia e pasur bashkohet me një energji të dukshme rinore.
Si destinacion të dytë për t’u vizituar, e përditshmja britanike rekomandon për pushuesit Liqenin e Ohrit, që përshkon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe shpesh quhet “Galapagosi Evropian” falë biodiversitetit mbresëlënës.
Në artikullin më të fundit të “The Telegraph” në vëmendje është edhe kuzhina shqiptare, e cila mbështetet në prodhimet e larmishme të produkteve bio që mund të gjenden si në zonat malore, ashtu edhe në ato bregdetare.
Shqipëria është një parajsë për ata që kërkojnë aventurat, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet ujore. Të tilla eksperienca, sipas të përditshmes britanike, mund t’i përjetoni në kanionet e Osumit dhe lumin Vjosa; ky i fundit mund të shfrytëzohet për të lëvizur me kajak.
Për ata që preferojnë zonat malore, Alpet Shqiptare janë vendi ideal, pasi vargu malor me peizazhet unike bëhet njësh me pyjet e harlisura dhe lugina të thella të mbushura me bimësi të egra.















