Kandidatët kryesorë për thumbimet më të dhimbshme variojnë nga milingonat “bullet”, te grerëzat “warrior” dhe kandilat e vegjël të detit. Për të zbuluar cili dhemb më shumë, disa ekspertë aventurierë kanë kaluar jetën duke u thumbuar, shkruan BBC.
A do të preferoje të goditeshe nga boksieri Mike Tyson apo të përjetoje një goditje si me çekiç shpues në veshka? Kështu ndihen dy nga thumbimet më të dhimbshme në botë. Kur vjen puna te më i keqi, gjithçka është çështje këndvështrimi.
Nga insektet e zakonshme të oborrit deri te krijesat e çuditshme detare, përdorin një koktej mbrojtjesh kimike, përfshirë neurotoksina dhe agjentë inflamatorë, për t’u mbrojtur ose për të nënshtruar prenë. Ndërsa kafshët që kafshojnë (si merimangat dhe gjarpërinjtë) përdorin nofullat me dhëmbë helmues për të injektuar helmin, tek ato që thumbojnë është pjesa tjetër e trupit nga e cila duhet të ruhesh.
Ne pyetëm ekspertët për thumbimet më të dhimbshme në mbretërinë shtazore, duke lënë mënjanë vdekshmërinë. Ja renditja e tyre.
Insektet thumbuese: grerëzat, milingonat dhe bletët
Babai i fushës moderne të “të thumbuarit me qëllim” ishte Justin Schmidt, një entomolog nga Arizona që krijoi një indeks dhimbjeje me emrin e tij duke iu nënshtruar thumbimeve nga të paktën 96 specie insektesh, përfshirë bletë, grerëza dhe milingona. Ai i ndau thumbimet në katër nivele dhimbjeje, duke shtuar përshkrime shumë të gjalla, pothuajse poetike, për secilën ndjesi (fatmirësisht për ne, Schmidt ishte një entomolog me shpirt poeti!).
Niveli i parë përfshin thumbimet më të lehta. Thumbimi i një blete anthophorid, për shembull, është “pothuajse i këndshëm, si një i dashur që të kafshon paksa fort veshin”.
Niveli 2 përfshin disa “lojtarë të fortë”, si grerëza e mjaltit: “Djegës, përvëlues. Një shtupë pambuku e zhytur në salcë habanero të është futur në hundë.”
Dhe grerëza e zezë e egër polybia: “Një ritual që shkon keq, satanik. Llampa e gazit në një kishë të vjetër shpërthen në fytyrën tënde kur e ndez.”
Shtatë speciet në nivelin 3 e çojnë Schmidt në torturë të vërtetë: Dasymutilla klugii: “Shpërthyese dhe afatgjatë, ulërin sikur ke humbur mendjen. Vaj i nxehtë nga friteza derdhet mbi gjithë dorën tënde.”
Vetëm tre specie arritën ndonjëherë nivelin 4.
E para ishte milingona “bullet”, një artropod rreth 2.5 cm i gjatë nga pyjet tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, shpesh e quajtur “milingona 24-orëshe” për kohëzgjatjen e dhimbjes: “Dhimbje e pastër, intensive, brilante. Si të ecësh mbi qymyr me një gozhdë tre-inç të ngulur në thembër.”
Pastaj erdhi grerëza “tarantula hawk”, një gjuetare merimangash me madhësinë e një topi golfi: “Verbues, i egër, elektrik në mënyrë tronditëse. Një tharëse flokësh në punë bie në vaskën tënde.” Schmidt vuri re se efekti zgjat vetëm disa minuta.
Së fundi, grerëza “warrior” (Synoeca septentrionalis): “Torturë. Je i lidhur në rrjedhën e një vullkani aktiv. Pse e fillova këtë listë?”
Schmidt vdiq në vitin 2023 për shkak të komplikimeve nga Parkinsoni, por pasardhësi i tij është Coyote Peterson, një figurë e YouTube-it që i është nënshtruar thumbimeve që Schmidt nuk i kishte renditur. Ajo që i mungon në formim shkencor, e kompenson me gatishmërinë për të sakrifikuar parakrahun e majtë për edukimin dhe argëtimin e miliona shikuesve në kanalin e tij “Brave Wilderness”.
Peterson përdori indeksin e Schmidt si udhërrëfyes, duke synuar të “krijojë versionin filmik” të librit të vitit 2016 “Sting of the Wild”. “Le të respektojmë shkallën nga 1 në 4, por të zbulojmë edhe cilët të tjerë meritojnë nivelin 4.”
Pas udhëtimeve nëpër botë dhe përjetimit të thumbimeve nga 30 specie, Peterson propozon edhe dy specie të tjera për nivelin 4: grerëzën gjigante japoneze dhe grerëzën “executioner”.
“Grerëza gjigante japoneze ishte pa diskutim më e keqja në momentin e goditjes, si të të godiste në fytyrë Mike Tyson,” thotë Peterson. “U verbova për një moment. Ishte e menjëhershme dhe shpërthyese.”
Grerëza “executioner” (Polistes carnifex), megjithatë, është fituesja absolute sipas tij. “Dhimbja zgjati rreth 12 orë,” thotë ai, por efektet pasuese ishin edhe më të këqija. “Kishte veti nekrotike që e kalbën mishin si një gropë në parakrah. Është i vetmi thumbim që më ka ‘ngrënë’ mishin dhe ende kam një shenjë si djegie cigareje.”
Shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht përbërjen e helmit të saj, por disa specie të afërta përdorin enzima që dëmtojnë indet duke aktivizuar reagimin imunitar.
Kandilat e detit: më shumë helm sesa dukje
Por insektet nuk janë të vetmet. Kandilat e detit kanë qeliza të vogla si harpunë që injektojnë helm.
Takimi me kandilin Irukandji – një krijesë e vogël me trup sa një gisht, por me tentakula deri në një metër – mund të shkaktojë një sindromë që duket si torturë mesjetare.
Vetë thumbimi shpesh nuk ndihet fare. Shumë njerëz nuk e vënë re, thotë studiuesja Lisa-ann Gershwin. Për këtë arsye, mjekët për dekada nuk kuptonin shkakun e dhimbjes tek pushuesit. Misteri u zgjidh në vitin 1961, kur mjeku Jack Barnes u thumbua qëllimisht, bashkë me djalin e tij dhe një roje plazhi.
Pas rreth 20 minutash fillojnë simptomat: lodhje e pazakontë, pastaj një ndjesi si çekiç shpues në veshka që zgjat deri në 12 orë. Më pas vijnë djersitje e tepërt dhe të vjella të vazhdueshme për deri në 24 orë.
Dhe kjo është vetëm “nxehja”, sipas Gershwin. Më pas vijnë valë të njëpasnjëshme dhimbjeje ekstreme, spazma dhe kriza që vazhdojnë të rriten në intensitet.
Një veçori unike është ndjesia e fortë e afërsisë së vdekjes. Pacientët janë të bindur se do të vdesin dhe disa madje i janë lutur mjekëve t’i japin fund jetës.
Helmi i kandilave përmban toksina që shkatërrojnë qelizat dhe mund të ndikojnë në neurone, duke çliruar hormone si adrenalina, norepinefrina dhe dopamina, që kontribuojnë në simptomat fizike dhe psikologjike.
Megjithëse përvoja është e tmerrshme, shumica e njerëzve shërohen plotësisht. Trajtimi zakonisht përfshin qetësues shumë të fortë si morfina për të përballuar dhimbjen.
















