Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në Kuvend.
Korreshi iu referua deklaratës së mëparshme të Ramës, i cili kishte thënë se Karçanaj jeton me qira në Tiranë, duke e vënë në kontrast me dëshminë e dhënë në SPAK nga ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima.
Sipas kësaj dëshmie, Karçanaj rezulton pronare e një vile luksoze në jug të vendit.
Me tone ironike, deputeti demokrat tha se “u mblodhëm të gjithë dhe thamë se ku do vejë, iku nga detyra dhe kush do t’ia paguajë qiranë”, ndërsa shtoi se situata ndryshon kur, sipas tij, “del në Palasë ajo e shkreta me rroba banje, se i dolën vilat”.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi ngriti edhe një shqetësim më të gjerë për burimin e pasurisë në sektorin e ndërtimit, duke theksuar se qytetarët e zakonshëm nuk arrijnë më të përballojnë çmimet e banesave.
“Pyetja që bëjnë shqiptarët e thjeshtë është: nga buron ky lek në ndërtim?
Kur 95% e shqiptarëve nuk arrijnë dot të blejnë shtëpi, as në Tiranë dhe as në qytete më të vogla si Lushnja”, u shpreh ai.
Në vijim, deputeti demokrat theksoi se rasti i Karçanajt nuk është i vetmi, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, ka edhe shumë raste të tjera të ngjashme që ngjallin dyshime për burimin e pasurive./skyweb.al















