Kriza në Ngushticën e Hormuzit po merr një kthesë të rrezikshme, pasi Irani rezulton të mos ketë një hartë të saktë të minave detare që ka vendosur gjatë konfliktit të fundit. Sipas raportimeve të The New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë, vendosja e tyre është bërë në mënyrë të çrregullt dhe pa koordinim të plotë.
Kjo situatë po e bën gjithnjë e më të vështirë rihapjen e plotë të një prej korridoreve më të rëndësishme të energjisë në botë. Përveç mungesës së të dhënave të sakta, një pjesë e minave mund të jetë zhvendosur nga rrymat detare, duke rritur edhe më shumë rrezikun për anijet që kalojnë në këtë zonë.
Përshkallëzimi nisi pas operacioneve ushtarake të SHBA dhe Izraelit ndaj objektivave strategjikë në Iran, çka detyroi Teheranin të aktivizojë atë që e cilësoi si “opsion domosdoshmërie”. Më 2 mars, një zyrtar i lartë i i Gardë Revolucionare shpalli mbylljen e ngushticës, duke paralajmëruar se çdo anije që hynte në zonë mund të goditej.
Vetëm ky njoftim mjaftoi për të tronditur tregjet globale. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, ndërsa kompanitë e transportit detar filluan të rishikojnë itineraret për shkak të rrezikut nga minat, por edhe nga dronët dhe raketat iraniane.
Ndërsa minat nisën të vendoseshin, trafiku i cisternave në ngushticë ra ndjeshëm. Kombinimi i këtyre kërcënimeve i dha Iranit një avantazh të përkohshëm strategjik, duke ushtruar presion mbi furnizimet globale me energji.
Megjithatë, kjo strategji duket se është kthyer në një problem për vetë Teheranin. Sipas të njëjtave burime, Irani po has vështirësi serioze për të pastruar zonën, pikërisht për shkak të mungesës së një regjistri të saktë të minave.
Autoritetet iraniane kanë tentuar të menaxhojnë situatën duke mbajtur të hapur një korridor të ngushtë detar, në disa raste edhe kundrejt pagesës. Gjithashtu janë publikuar harta orientuese për rrugë më të sigurta, por trafiku nuk është kthyer në nivelet normale.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lidhur armëpushimin e përkohshëm me rihapjen “të plotë, të menjëhershme dhe të sigurt” të ngushticës, duke paralajmëruar për sulme të reja nëse negociatat dështojnë.
Ministria e Jashtme iraniane ka pranuar indirekt vështirësitë, duke theksuar se rihapja do të bëhet duke marrë parasysh “kufizimet teknike”. Pastrimi i minave detare konsiderohet një nga operacionet më komplekse ushtarake, madje edhe për fuqitë e mëdha.
Raporti nënvizon se edhe SHBA nuk kanë kapacitete të tepërta për të pastruar një zonë kaq të madhe dhe të trazuar në kohë të shkurtër, ndërsa situata për Iranin është edhe më e vështirë, sidomos pas goditjeve që kanë dëmtuar infrastrukturën e tij detare.
Në këtë kontekst, mbetet e paqartë se sa mina ndodhen ende në ujërat e ngushticës dhe ku janë të vendosura, duke mbajtur të lartë pasigurinë për tregtinë globale dhe furnizimin me energji. /euronews.com















