Pas afro 100 vitesh zhvillimi, trajtimet që forcojnë sistemin imunitar për të luftuar kancerin po hyjnë në një fazë të re, duke shpëtuar jetë dhe në disa raste duke ofruar edhe shërim, shkruan BBC.
Një grua 71-vjeçare nga Nju Jorku, e cila në vitin 2008 iu nënshtrua një operacioni të vështirë për kancerin në zorrë, u përball sërish me kancer pas 14 vitesh, kësaj radhe në ezofag. Ndryshe nga hera e parë, ajo mori pjesë në një provë klinike dhe u trajtua me imunoterapi, duke marrë çdo tre javë infuzione të një ilaçi të quajtur dostarlimab. Pas vetëm katër muajsh, tumori i saj u zhduk plotësisht pa pasur nevojë për operacion, kimioterapi apo rrezatim.
Imunoterapia funksionon duke ndihmuar sistemin imunitar të njohë dhe shkatërrojë qelizat kancerogjene, të cilat shpesh arrijnë të “fshihen” dhe të shmangin sulmin e trupit. Disa nga format më të njohura janë terapia CAR T, ku qelizat imunitare modifikohen për të luftuar kancerin, dhe frenuesit e pikave të kontrollit, që aktivizojnë sistemin imunitar duke hequr mekanizmat frenues.
Megjithatë, këto trajtime nuk funksionojnë për të gjithë pacientët dhe mund të shoqërohen me efekte anësore, pasi sistemi imunitar mund të sulmojë edhe indet e shëndetshme. Aktualisht, vetëm 20% deri në 40% e pacientëve përfitojnë nga imunoterapia.
Për të rritur efektivitetin, studiuesit po eksperimentojnë me kombinimin e imunoterapisë me metoda të tjera si rrezatimi apo trajtimi me ultratinguj, si dhe me qasje të personalizuara bazuar në profilin gjenetik të pacientit. Studimet e fundit kanë treguar rezultate shumë premtuese, ku një pjesë e madhe e pacientëve me karakteristika të caktuara gjenetike kanë përjetuar zhdukjen e plotë të tumorit.
Ekspertët besojnë se imunoterapia përfaqëson një pikë kthese në onkologji, duke kaluar nga trajtimi i përgjithshëm i kancerit drejt trajtimit të personalizuar për çdo pacient./skyweb.al
















