Analiza e bilanceve të 2023 – 2024 të “Durrës Marina sh.a.”, kompania që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së jahteve në Durrës, zbuloi se i ashtuquajturi investim, që parashikohet të ketë vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh, të paktën deri në fund të 2024-s tani ka funksionuar si një kompani normale ndërtimi, që mbledh paratë me parapagim.
Kompania ka arkëtuar nga klientët rreth 4.17 miliardë lekë (rreth 42 milionë euro) në periudhën 2023 – 2024, kryesisht nga shitja e apartamenteve “në ajër”, sipas zërit “Detyrime nga kontratat me klientë”, pothuajse e njëjta skemë që u shpjegua më lart me kompanitë e ndërtimit pa kapital që u shtuan në Tiranë nga 2018-a.
Ndonëse ky është një investim që ka përfituar përjashtime nga taksat, madje dhe atë të infrastrukturës, si dhe ka marrë një sipërfaqe të madhe prone falas për zhvillim, investitori, në dy vitet e para të aktivitetit, vetëm sa ka mbledhur para nga shitja e apartamenteve në “ajër”.
Kompania u paraqit si investitore, por ajo rezulton se po i arkëton paratë nga parapagimet e klientëve, të cilat janë një “komponent i rëndësishëm i financimit”, siç thuhet në raportin e aktivitetit.
Të ardhurat e mbledhura deri tani duket se janë të mjaftueshme për të financuar shpenzimet e ndërtimit në vitin 2024. Shoqëria raporton në bilanc se kostot e ndërtimit për vitin 2024 ishin rreth 3.4 miliardë lekë, ose rreth 35 milionë euro.
Vetë Kompania Eagle Hills Real Estate Development, që përfaqëson në investim biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, ka bërë rritje kapitali prej 7 milionë eurosh në korrik 2023, që mbeti i pandryshuar dhe në 2024.
Durrës Marina Sh.a. u krijua nё Tiranë si njё shoqёri aksionare mё datё 30 Janar 2023 dhe ka marrë statusin e “Investim/Investitor Strategjik” për projektin e investimit “Durrës Yachts & Marina”, për një periudhë 20-vjeçare.
Eagle Hills Real Estate Development zotëron 67% të aksioneve në Durrës Marina, ndërsa kompania që përfaqëson palën shqiptare, Albanian Seaports Development Company, mban 33% të aksioneve. Pala shqiptare ka kontribuar me tokën ku do të ndërtohet kompleksi rezidencial Durrës Marina, si dhe ka çliruar nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturë dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Projekti parashikohet të ketë vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh, por vetëm një pjesë e vogël e tij do të financohet me kapitalet e investitorit kryesor, Mohamed Alabbar. Pjesa më e madhe e kompleksit rezidencial do të financohet nga shitja e pronave që para ndërtimit të tyre dhe eventualisht nga burime të tjera, si financimet bankare./Monitor















