Bashkimi Europian po përgatitet të pranojë tarifat e reja që Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin në ditët në vijim për çështjen e punës së detyruar, për sa kohë ato nuk e tejkalojnë kufirin prej 15%, të përcaktuar në Marrëveshjen e Turnberry-t, bëri të ditur Komisioni Evropian.
Shtëpia e Bardhë njoftoi në fillim të qershorit se do të vendosë tarifa të reja ndaj partnerëve të saj tregtarë në mbarë botën, duke argumentuar se mungesa e përpjekjeve për të frenuar tregtinë e produkteve të prodhuara me punë të detyruar po dëmton interesat tregtare të SHBA-së.
Regjimi aktual i tarifave amerikane skadon të premten, ndërsa Përfaqësuesi i SHBA-së për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi të martën se zbatimi i tarifave të reja për punën e detyruar është i pashmangshëm.
Zyrtarët evropianë po ndjekin me vëmendje nivelin e tarifave të reja, pasi marrëveshja tregtare BE-SHBA, e nënshkruar në korrik 2025 në Turnberry të Skocisë nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kufizon tarifat amerikane për mallrat evropiane në maksimum 15%.
“Natyrisht që nuk pajtohemi me konkluzionet lidhur me punën e detyruar dhe këtë ua kemi bërë shumë të qartë homologëve tanë amerikanë,” tha një zyrtar i lartë i BE-së.
“Por objektivi ynë kryesor është të sigurojmë që marrëveshja të respektohet dhe që kompanitë tona të përfitojnë nga stabiliteti dhe parashikueshmëria që ajo garanton.”
Rregullat e BE-së kundër punës së detyruar
Administrata Trump vendosi në shkurt tarifa prej 10% ndaj partnerëve të saj tregtarë në nivel global, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi se tarifat e vitit 2025 ishin të paligjshme. Të kombinuara me tarifat ekzistuese sipas statusit “Kombi më i Favorizuar”, këto masa bëjnë që mallrat e BE-së të përballen aktualisht me tarifa mesatare pranë kufirit prej 15%, të përcaktuar në Marrëveshjen e Turnberry-t.
Megjithatë, baza aktuale ligjore e regjimit tarifor amerikan nuk lejon që ai të mbetet në fuqi për më shumë se 150 ditë, pra deri më 24 korrik, përveç rasteve kur Kongresi miraton një zgjatje, gjë që konsiderohet e pamundur përpara zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Për të zëvendësuar regjimin aktual, Departamenti Amerikan i Tregtisë ka nisur një hetim sipas Nenit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 mbi përdorimin e punës së detyruar në zinxhirët globalë të furnizimit. Hetimi pritet të përfundojë në ditët në vijim.
“Presim të shohim veprime së shpejti,” deklaroi Jamieson Greer në një intervistë për CNBC.
“Nuk mund të jap një afat të saktë në këtë moment, pasi kam detyrimin të informoj fillimisht Kongresin dhe palët e tjera të interesuara. Megjithatë, presim që së shpejti të ketë zhvillime në këtë drejtim.”
Në fillim të qershorit, Komisioni Evropian mbrojti legjislacionin e tij, duke theksuar se BE-ja zbaton rregulla të rrepta kundër produkteve të prodhuara me punë të detyruar.
“BE-ja i konsideron tarifat e vendosura mbi këtë bazë si të pajustifikuara,” deklaroi në atë kohë Olof Gill, zëvendëszëdhënës kryesor i Komisionit Evropian.
Megjithatë, tani Komisioni duket se e konsideron respektimin e Marrëveshjes së Turnberry-t si alternativën më të mirë për ruajtjen e stabilitetit në marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump paralajmëroi të martën se mund të vendosë tarifa prej 100% për barnat gjenerike të importuara në SHBA brenda dy viteve të ardhshme, ndërsa një vit më vonë ato mund të rriten deri në 200%.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian sqaroi të mërkurën se barnat gjenerike janë të përjashtuara nga këto masa sipas marrëveshjes tregtare BE-SHBA.
“Proklamata amerikane sipas Nenit 232, e datës 2 prill, e konfirmon këtë angazhim dhe ne presim që SHBA-ja të vazhdojë ta respektojë atë,” shtoi zëdhënësi.















