Një profesor matematike në Universitetin e Patrës ka vendosur një rregull të pazakontë për provimet e shtatorit. Studentët që mbajnë syze do të duhet të paraqesin një vërtetim mjekësor që dëshmon se kanë nevojë për to.
Masa synon të parandalojë përdorimin e syzeve të pajisura me inteligjencë artificiale, të cilat mund të përdoren për të marrë ndihmë gjatë provimeve dhe për të kopjuar.
Sipas mediave greke, studentët do të lejohen të marrin në sallën e provimit vetëm një laps. Ky kufizim synon të shmangë fshehjen e pajisjeve elektronike në kuti lapsash, çanta apo sende të tjera personale.
Rektori i universitetit, Christos Bouras, tha se kopjimi ka ekzistuar gjithmonë, por zhvillimi i inteligjencës artificiale ka krijuar mënyra të reja për të mashtruar gjatë provimeve.
Sipas tij, teknologjia mund të përdoret jo vetëm për të ofruar përgjigje, por edhe për të identifikuar përgjigje apo punime të dyshimta.
Bouras u bëri thirrje studentëve të përqendrohen te mësimi dhe përgatitja, në vend që të kërkojnë mënyra për të kopjuar. Ai paralajmëroi se përdorimi i mjeteve të tilla për t’iu shmangur studimit mund t’u sjellë pasoja dhe vështirësi në të ardhmen, veçanërisht në jetën profesionale.















