Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural propozon heqjen e pragjeve të investimit që përcaktojnë kohëzgjatjen e kontratave për fermat e peshkut. Me ndryshimet në ligjin “Për akuakulturën”, afati i kontratës do të jetë 20 vjet, pavarësisht shumës së investuar.
Aktualisht, ligji parashikon kontrata deri në 10 vjet për investime me vlerë deri në 5 milionë euro dhe deri në 15 vjet për kategorinë e investimeve deri në 10 milionë euro. Afati deri në 20 vjet zbatohet për investimet mbi 10 milionë euro.
Projektligji i heq këto kategori dhe vendos një afat të njëjtë për veprimtarinë e akuakulturës në sipërfaqet tokësore dhe ujore. Kështu, edhe investimet më të vogla do të mund të përfitojnë kontrata 20-vjeçare.
Për aktivitetet që zhvillohen në tokë publike, kohëzgjatja e kontratës së akuakulturës do të jetë e njëjtë me afatin e kontratës së shfrytëzimit të tokës, pa tejkaluar 20 vjet.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimi synon t’u japë investitorëve më shumë siguri për zhvillimin e aktivitetit. Ministria argumenton se akuakultura kërkon shpenzime të larta fillestare dhe periudha të gjata për rikuperimin e investimit.
Afati më i gjatë pritet të mbështesë investimet e reja, modernizimin e fermave dhe aksesin në financim, duke u mundësuar operatorëve të planifikojnë aktivitetin për një periudhë më të gjatë.
Ruhet ndërkohë detyrimi që veprat e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit të përfundojnë brenda tre vjetëve nga nënshkrimi i kontratës. Afatet për fillimin dhe përfundimin e tyre duhet të përcaktohen në marrëveshjen përkatëse.
Projektligji është publikuar për konsultim më 14 tetor dhe komentet mund të paraqiten deri më 11 nëntor 2026.
















