Parlamenti Europian ka miratuar rregulla të reja për mbrojtjen e pasagjerëve, që lehtësojnë kërkesat për rimbursim kur udhëtimet anulohen apo ndërpriten.
Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i një formulari të përbashkët për kërkimin e rimbursimit.
Ai do të publikohet në faqen e Komisionit Europian, në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së, dhe do të mbulojë të gjitha llojet e transportit.
Për fluturimet e anuluara, pasagjerët që kanë blerë biletën përmes agjencive apo platformave të rezervimit do të kenë të drejtën e rimbursimit të plotë brenda 14 ditësh.
Kompania ajrore do të ketë shtatë ditë për t’ia kaluar paratë ndërmjetësit, ndërsa ky i fundit edhe shtatë ditë të tjera për t’ia kthyer pasagjerit.
Nëse agjencia apo platforma nuk kryen rimbursimin në afat, kompania ajrore do të duhet të ndërhyjë për t’ia kthyer paratë drejtpërdrejt udhëtarit. Ndërmjetësit do të kenë gjithashtu detyrimin të shpjegojnë procedurën e rimbursimit që në momentin e rezervimit.
Rregullat forcojnë edhe mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara apo me lëvizshmëri të reduktuar. Kur prania e një shoqëruesi është e nevojshme, ai do të mund të udhëtojë falas në avion, siç parashikohet tashmë për autobusët, trenat dhe anijet.
Eurodeputeti italian Matteo Ricci, përgjegjës për dosjen, tha se përparësi po u jepet të drejtave të qytetarëve përballë fitimeve të kompanive ajrore.
Rregullorja duhet të marrë ende miratimin formal të Këshillit të BE-së përpara publikimit në Gazetën Zyrtare. Zbatimi i saj parashikohet të nisë më 23 tetor 2027.
















