Në samitin e sotëm në Mal të Zi, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej protestës së studentëve përmes statistikave. Por në vend që të jepte fakte për atë që po ndodh sot në Tiranë, ai solli në vëmendje shifra nga protestat e zhvilluara në vende të ndryshme të Europës gjatë viteve 2010–2019.
Një krahasim që, sipas deputetes Marjana Koçeku, lë jashtë pikërisht atë që e bën një statistikë të vlefshme: kontekstin, periudhën kohore dhe rrethanat konkrete të ngjarjeve.
Përtmes një mesazhi në profilin e saj në Facebook, Koçeku vë në pikëpyetje jo vetëm saktësinë e krahasimit, por edhe mesazhin politik që përcillet përmes tij. Shifrat e shkëputura nga konteksti nuk shpjegojnë realitetin, thekson Koçeku, duke veçuar se ato mund të krijojnë një pamje të deformuar të tij, sidomos kur përdoren për të relativizuar ngjarje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi.
“Një numër pa kontekst nuk ka si me qenë argument, por spekulim”, shkruan Koçeku, duke kundërshtuar krahasimin e protestave të sotme me ngjarje të një periudhe tjetër.
Përtej debatit mbi statistikat, qëndron një çështje shumë më e rëndësishme: mënyra se si pushteti u përgjigjet të rinjve që dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.
Studentët, sipas deputetes, nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë një qeveri që nuk i gënjen, një polici që nuk ushtron dhunë ndaj tyre dhe një shtet që nuk përdor paratë publike për të shpërblyer ata që ushtrojnë dhunë.
“Kryeministri, në samitin e sotëm në Mal të Zi, nuk dha fakte kur foli për protestën e studentëve. Por u dha municion militantëve të tij.
Shikojeni tabelën e tij. I krahason protestat e sotme me ngjarje të viteve 2010–2019 në Europë, pa kontekst, pa periudha të sakta, pa thanë çka ka ndodhë realisht. Tu sjellë shifra të së kaluemes sikur të ishin të ngjarjeve të fundit.
Nji numër pa kontekst nuk ka si me qenë argument, por spekulim.
Studentët nuk kërkojnë shumë. Thjesht kërkojnë nji qeveri që nuk i gënjen. Nji qeveri që nuk i rrah. Nji qeveri që paratë e dijes nuk i çon për me shpërblye ata që i rrahin.
Nji qeveri demokratike i jep llogari rinisë. Nuk e mbulon dhunën me statistika”, shkruan Koçeku.















