Gjiganti i kozmetikës L’Oréal po zhvillon produkte të posaçme për kujdesin e lëkurës, për të trajtuar efektet që mund të shfaqen pas humbjes së shpejtë të peshës, ndërsa rritja e përdorimit të ilaçeve për dobësim po ndikon në tregun e bukurisë.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Nicolas Hieronimus, deklaroi se përdorimi i barnave të grupit GLP-1, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, përbën një fenomen të rëndësishëm që po ndikon veçanërisht në konsumin e produkteve për kujdesin e lëkurës.
Këto barna, të zhvilluara fillimisht për trajtimin e diabetit, janë bërë gjithnjë e më popullore për shkak të efektit të tyre në humbjen e peshës. Megjithatë, dobësimi i shpejtë mund të shoqërohet te disa persona me lëkurë të varur, veçanërisht në zonën e fytyrës.
Hieronimus bëri të ditur se markat SkinCeuticals dhe Kiehl’s, në pronësi të L’Oréal, ofrojnë produkte të projektuara për të plotësuar kujdesin e lëkurës te personat që përjetojnë këto ndryshime.
Ndërkohë, kompania ka zgjeruar investimet në sektorin e estetikës klinike, duke rritur në 20% pjesëmarrjen e saj në kompaninë dermatologjike Galderma. Sipas Reuters, të dyja kompanitë po testojnë produkte te përdoruesit e barnave GLP-1, të cilët shqetësohen për ndryshimet në pamjen e fytyrës.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur L’Oréal raportoi rritje prej 7,7% të shitjeve në tremujorin që përfundoi në shtator, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve. /skyweb.al
















