Turistët që marrin apartamente me qira përmes Airbnb nuk do të jenë më të detyruar të lajnë enët, të heqin çarçafët nga krevati apo të nxjerrin plehrat jashtë pronës përpara largimit.
Platforma e njohur e akomodimit ka përditësuar rregullat për pronarët që japin banesat me qira afatshkurtër, duke vendosur kufizime për punët e shtëpisë që mund t’u kërkohen vizitorëve.
Sipas politikës së re, pronarët nuk mund t’u kërkojnë klientëve të kryejnë punë që kërkojnë kohë dhe përpjekje të konsiderueshme, apo që normalisht duhet të realizohen nga personeli i pastrimit.
Kjo do të thotë se larja dhe sistemimi i pjatave, heqja e çarçafëve nga krevati apo transportimi i plehrave jashtë pronës nuk mund të vendosen më si detyrime për turistët.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vizitorët mund ta lënë apartamentin në çfarëdo gjendjeje.
Airbnb sqaron se pronarët mund të vazhdojnë të bëjnë kërkesa të arsyeshme, si për shembull vendosja e enëve të përdorura në lavaman, por jo larja dhe sistemimi i tyre.
Rregullat e reja do të zbatohen për të gjitha rezervimet e kryera nga data 20 nëntor 2026, duke përfshirë edhe apartamentet që ofrohen përmes platformës në Shqipëri.
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën se si turistët informohen për kushtet e qëndrimit. Airbnb ka krijuar një seksion të veçantë, të quajtur “House rules and requests”, ku do të shfaqen qartë rregullat e banesës dhe kërkesat e pronarit.
Këto informacione do të jenë të dukshme përpara rezervimit, por edhe në seksionin e udhëtimeve dhe në njoftimet që klientët marrin për qëndrimin e tyre.
Pronarët do të mund të përcaktojnë rregulla për numrin maksimal të personave, oraret e qetësisë, duhanin, kafshët shtëpiake, organizimin e festave, fotografimin dhe detyrimin për të mbyllur banesën gjatë largimit.
Airbnb parashikon edhe përjashtime të kufizuara, si rastet kur pronarët mund t’u kërkojnë turistëve të kufizojnë kohën e dushit për shkak të mungesës së ujit.
Me këto ndryshime, platforma synon t’i japë fund praktikës së disa pronarëve që u kërkojnë turistëve të kryejnë një pjesë të konsiderueshme të pastrimit të apartamentit përpara dorëzimit të çelësave.
Përfaqësuesit e Airbnb shpjegojnë se ndryshimet vijnë pas ankesave të përdoruesve për rregulla të paqarta dhe kërkesa të tepruara, duke synuar që klientët të dinë paraprakisht çfarë pritet prej tyre gjatë qëndrimit. /skyweb.al
















