Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim. Ndërkohë, prokuroria franceze është shprehur në favor të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku ai hetohet për dyshime lidhur me manipulimin e tenderëve publikë.
Sipas gazetës franceze Le Courrier Picard, në një artikull të publikuar më 23 tetor 2026 nga gazetari Gautier Lecardonnel, gjatë seancës gjyqësore janë diskutuar si pretendimet e autoriteteve shqiptare, ashtu edhe garancitë e paraqitura prej tyre në kuadër të kërkesës për ekstradim.
SPAK dyshon se Beqiri ka pasur rol organizues në një rrjet që dyshohet se ka siguruar kontrata publike në fushën e teknologjisë së informacionit përmes manipulimit të konkurrencës dhe intimidimit. Sipas raportimit, hetimi përfshin 19 procedura prokurimi, me një vlerë të përgjithshme të përllogaritur në 59 milionë euro.
Autoritetet franceze kishin kërkuar në gusht informacione shtesë nga Shqipëria përpara se të merrnin një vendim mbi ekstradimin e biznesmenit.
Në përgjigje, pala shqiptare ka përcjellë tri dokumente: një shkresë nga ministri i Drejtësisë, një dokument nga drejtuesi i SPAK-ut lidhur me garancitë juridike dhe një dokument nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Megjithatë, avokati i Beqirit, Nicolas Paganelli, ka vënë në pikëpyetje seriozitetin dhe përmbajtjen e këtyre dokumenteve, duke i konsideruar ato të pamjaftueshme për të garantuar mbrojtjen juridike të klientit të tij.
“Janë drafte, nuk janë punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i asistencës pas shitjes për garanci diplomatike të paplota”, citohet të ketë deklaruar Paganelli gjatë seancës, sipas Le Courrier Picard.
Gjatë paraqitjes në gjykatë, biznesmeni shqiptar ka kundërshtuar akuzat dhe ka vënë në dyshim motivet e procedimit ndaj tij, duke pretenduar se çështja ka prapavijë politike.
“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, ka deklaruar Beqiri, sipas gazetës franceze.
Në krahun tjetër, prokuroria në Amiens ka argumentuar se gjykata franceze nuk duhet të shndërrojë shqyrtimin e kërkesës për ekstradim në një vlerësim të përgjithshëm të sistemit gjyqësor shqiptar.
“Ju kërkohet të mbani një qëndrim për sistemin gjyqësor shqiptar, por ky nuk është roli i Dhomës së Hetimit”, ka deklaruar përfaqësuesja e prokurorisë.
Sipas raportimit, gjatë debatit është përdorur edhe shprehja “spastrim i madh i organizuar” në lidhje me zhvillimet në Shqipëri dhe kontekstin e çështjes.
Ermal Beqiri, pronar i një kështjelle në Berneuil-en-Bray, në departamentin francez Oise, u arrestua në fund të korrikut, pasi kishte fluturuar me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly.
Refuzimi i kërkesës për lirim nënkupton se biznesmeni do të mbetet në paraburgim gjatë vijimit të procedurave në Francë. Megjithatë, ky vendim nuk përbën një vendim përfundimtar mbi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Vendimi për ekstradimin mbetet ende i hapur, ndërsa gjykata franceze duhet të shprehet mbi kërkesën e autoriteteve shqiptare në vijim të procedurës gjyqësore.















