Reshjet e dendura të shiut pritet të përfshijnë disa qarqe të vendit gjatë dy ditëve në vijim, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese për të shmangur pasojat e mundshme.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 12 nëntor, në qarqet Shkodër dhe Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Ndërsa të enjten, më 13 nëntor, reshjet intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Për shkak të intensitetit të reshjeve, në disa zona urbane mund të krijohen grumbullime të përkohshme të ujit. Ndërkohë, në zonat malore ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me risk dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast nevoje.
Gjithashtu, qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj rreziqeve natyrore, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimin e situatës.
AKMC bën me dije se vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve./skyweb.al
















