Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot në Kuvend se shqiptarët kanë sot më shumë të ardhura falë zhvillimit ekonomik, por nga ana tjetër pranon se shumë familje nuk kanë kursimet e nevojshme për të blerë një apartament.
Gjatë prezantimit të projektligjit për strehimin social në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ibrahimaj argumentoi se rritja e të ardhurave dhe zhvillimi ekonomik i vendit i japin qeverisë mundësinë të zgjerojë politikat e mbështetjes për strehimin.
Megjithatë, deklaratat e ministres evidentuan një kontrast mes përmirësimit ekonomik të pretenduar nga qeveria dhe vështirësive reale të familjeve shqiptare për të siguruar një banesë.
“Zhvillimi ekonomik dhe faza e zhvillimit ekonomik në të cilën ne ndodhemi sot na lejon që ne të vijojmë të kujdesemi për shtresat në nevojë, por gjithashtu, nisur nga të ardhurat e shtuara, na krijohet hapësira dhe mundësia që të kujdesemi edhe për ato kategori të cilat nuk konsiderohen në nevojë, por të cilat kanë nevojë për një strehim të përballueshëm”, deklaroi Ibrahimaj.
Pra, sipas ministres, shqiptarët kanë të ardhura më të larta, por një pjesë e tyre vazhdon ta ketë të pamundur blerjen e një apartamenti me kursimet e veta.
Madje, Ibrahimaj pranoi se vështirësia nuk qëndron vetëm te familjet me të ardhura të ulëta, por edhe te ato që kanë mundësi të paguajnë këstet mujore të një kredie, por nuk arrijnë të mbledhin shumën fillestare që kërkojnë bankat.
“Duke mos pasur kursime, i bëhet e pamundur një familjeje shqiptare që të paguajë atë parapagimin që bankat kërkojnë për blerjen e një banese”, deklaroi ministrja.
Kjo do të thotë se edhe familjet që konsiderohen ekonomikisht të qëndrueshme mund të mbeten jashtë tregut të banesave, për shkak të pamundësisë për të siguruar parapagimin fillestar.
Zgjidhja e qeverisë, më shumë mundësi për kredi bankare
Për t’iu përgjigjur kësaj situate, qeveria propozon një mekanizëm garancie që synon t’u lehtësojë familjeve marrjen e kredive për blerjen e banesave.
Sipas propozimit, mbështetja do të përqendrohet te familjet që kanë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer këstet mujore, por që nuk disponojnë kursimet për parapagimin fillestar ose garancitë e kërkuara nga bankat.
Në këtë mënyrë, ndërhyrja synon të lehtësojë aksesin në financim, pa e zgjidhur drejtpërdrejt problemin e çmimeve të larta të apartamenteve.
Familjet përfituese do të kenë mundësi të marrin kredi më lehtë, por do të vijojnë të mbajnë detyrimin për shlyerjen e tyre.
Ndërkohë, për uljen e çmimeve të banesave, Ibrahimaj paralajmëroi nisma të tjera ligjore, të cilat, sipas saj, do të ndikojnë në rritjen e ofertës dhe konkurrencës në tregun e ndërtimit.
“Ky ligj hap rrugën që të bëjmë ndërtime e të kemi konkurrencë në çmimet e ndërtesave. Me ligjet që do të sjellim shpejt në Kuvend do të merren masa që çmimet të reduktohen”, deklaroi ajo.
Megjithatë, ministrja nuk përcaktoi një afat konkret se kur mund të ulen çmimet e apartamenteve dhe as ndikimin e pritshëm financiar që do të kenë masat e paralajmëruara.
Formula 30-40-30 për ndërtimet e reja
Një tjetër element i projektligjit është formula 30-40-30, e cila synon të krijojë një model të ri të shpërndarjes së banesave në projektet e ndërtimit që do të përfshihen në këtë skemë.
Sipas formulës së prezantuar, 30% e banesave do të dedikohen për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% për shitje ose dhënie me qira në tregun e lirë.
Qëllimi, sipas Ibrahimajt, është që familjet përfituese të programeve sociale të mos përqendrohen në zona të veçuara, por të integrohen në lagjet dhe zonat e reja të banimit.
“Duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jenë pjesë e natyrshme e lagjeve dhe qyteteve tona”, u shpreh ministrja.
Por përtej mekanizmave të propozuar, diskutimi nxori në pah një problem thelbësor të tregut të banesave në Shqipëri: rritja e të ardhurave nuk është përkthyer domosdoshmërisht në mundësi më të mëdha për familjet që të blejnë një apartament.
Nga njëra anë, qeveria argumenton se ekonomia është zhvilluar dhe të ardhurat janë shtuar, ndërsa nga ana tjetër pranon se një pjesë e familjeve nuk arrijnë të krijojnë as kursimet fillestare për të hyrë në tregun e pronave. /skyweb.al















