Kompanitë që blejnë kreditë e këqija nga bankat dhe institucionet e tjera financiare do të përballen me kufizime të qarta ligjore për interesat, penalitetet dhe tarifat që mund t’u kërkojnë qytetarëve dhe bizneseve debitore.
Një projektligj i ri, i hartuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, parashikon që subjektet financiare jobankare që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme nuk mund t’u ngarkojnë debitorëve detyrime financiare më të larta se ato të përcaktuara në kontratën fillestare të kredisë.
Kjo do të thotë se, nëse një qytetar ka marrë kredi në një bankë dhe më pas borxhi i tij i është shitur një kompanie të specializuar për mbledhjen e kredive me probleme, kompania blerëse nuk mund të vendosë interesa, komisione apo penalitete përtej kushteve të marrëveshjes origjinale.
Parashikimi është përfshirë në nenin 318 të projektligjit “Për ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre”, i cili synon rregullimin e plotë të sektorit bankar dhe institucioneve financiare jobankare.
Pika 3 e këtij neni përcakton shprehimisht se subjektet e licencuara për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme nuk mund të aplikojnë norma interesi, penalitete, komisione, tarifa apo çfarëdo barre tjetër financiare, pavarësisht emërtimit të saj, më të lartë se ajo që parashikohet në marrëveshjen mes kredimarrësit dhe kredidhënësit të parë.
Në këtë mënyrë, shitja e një kredie me probleme nga banka te një kompani tjetër nuk mund të shërbejë si bazë për vendosjen e detyrimeve të reja financiare jashtë kushteve të kontratës fillestare.
Megjithatë, kufizimi nuk nënkupton fshirjen e interesave apo penaliteteve që janë të parashikuara ligjërisht në marrëveshjen origjinale të kredisë.
Kompanitë e mbledhjes së borxheve nuk mund të japin kredi të reja
Projektligji vendos edhe kufizime mbi aktivitetin që mund të ushtrojnë kompanitë e licencuara për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme.
Sipas nenit 318, këto subjekte nuk mund të zhvillojnë veprimtari të tjera financiare apo tregtare, përveç aktiviteteve që lidhen drejtpërdrejt me administrimin dhe rikuperimin e kredive të blera.
Ato mund të kërkojnë mbledhjen e detyrimeve që burojnë nga kontratat ekzistuese, të rinegociojnë kushtet me kredimarrësit, të trajtojnë ankesat dhe t’i informojnë debitorët për pagesat që u kërkohen.
Por kompanitë e licencuara për këtë aktivitet nuk do të lejohen të ofrojnë kredi të reja.
Kjo krijon një ndarje të qartë mes institucioneve që japin kredi dhe subjekteve që merren vetëm me blerjen dhe rikuperimin e kredive me probleme.
Më shumë kontroll nga Banka e Shqipërisë
Projektligji parashikon se Banka e Shqipërisë do të përcaktojë me akte nënligjore kërkesat për administrimin, ristrukturimin dhe rinegocimin e kredive të blera nga këto kompani.
Institucionet financiare jobankare do të jenë gjithashtu të detyruara të garantojnë transparencë të plotë ndaj klientëve për normat e interesit, komisionet, tarifat dhe kushtet kontraktuale.
Sipas nenit 317, ato duhet t’i publikojnë këto informacione dhe të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së klientëve.
Ndërkohë, neni 319 përcakton se subjektet financiare jobankare mund të ushtrojnë veprimtari vetëm pasi të jenë licencuar nga Banka e Shqipërisë, e cila do të vlerësojë ndër të tjera kapitalin, strukturën e pronësisë, drejtuesit dhe sistemet e kontrollit të brendshëm.
Ndryshimet janë pjesë e reformës më të gjerë të legjislacionit bankar, e cila synon zëvendësimin e ligjit aktual për bankat dhe përafrimin e rregullave shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.
Në relacionin shoqërues, institucionet argumentojnë se kuadri i ri synon mbylljen e boshllëqeve rregullatore në sektorin financiar jobankar, përfshirë kompanitë që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme.
Për qytetarët dhe bizneset që kanë detyrime të prapambetura, dispozita më e rëndësishme është kufizimi i ngarkimit të borxhit me kosto shtesë pas shitjes së tij te një subjekt tjetër financiar. /skyweb.al















