Viti 2026 drejt rekordit si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, për shkak të ngrohjes globale dhe fenomenit klimatik El Niño. Paralajmërimi vjen nga shkencëtarët e grupit të pavarur amerikan të kërkimit “Berkeley Earth”, të cilët vlerësojnë me 95% siguri se temperaturat e këtij viti do të tejkalojnë rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2024.
Edhe pse kanë mbetur ende dy muaj deri në përfundimin e vitit, studiuesit thonë se prirja e temperaturave e bën pothuajse të sigurt vendosjen e një rekordi të ri.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur liderët botërorë dhe negociatorët po mblidhen në Turqi për hapjen e konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën, COP31, ku ndryshimet klimatike dhe masat për kufizimin e ngrohjes globale janë në qendër të diskutimeve.
Pasojat e rritjes së temperaturave janë ndjerë veçanërisht gjatë muajve të fundit në vende të ndryshme të botës. Zjarre të përmasave të mëdha kanë përfshirë disa zona të Evropës, ndërsa shembja e papritur e një akullnaje në Nepal shkaktoi mbi 1 mijë viktima.
“Po përjetojmë një seri vitesh me temperatura rekord. Kjo është ajo që presim ndërsa ngrohja globale përparon: shembje akullnajash, valë të nxehti rekord dhe thatësira”, deklaroi Dr. Robert Rohde nga “Berkeley Earth” per BBC.
Ndërkohë, të premten, Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike, “Copernicus”, konfirmoi se tetori i vitit 2026 ishte tetori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Sipas Rohde, kjo mund të jetë vetëm fillimi i ndryshimeve edhe më të mëdha klimatike. Ai paralajmëroi se në të ardhmen mund të përballen me pasoja shumë më të rënda dhe transformime më dramatike të klimës.
Shkaku kryesor i rritjes së temperaturave globale mbetet shtimi i përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë, kryesisht si pasojë e djegies së lëndëve djegëse fosile, si nafta, qymyri dhe gazi natyror.
Kombinimi i ngrohjes së shkaktuar nga aktiviteti njerëzor me fenomenin El Niño, i cili ndikon në rritjen e temperaturave globale, po shton shqetësimet e shkencëtarëve për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike. /skyweb.al
















