Bregu lindor i Shteteve të Bashkuara po përballet me një nga stuhitë më të fuqishme të dëborës të dekadave të fundit, duke shkaktuar ndërprerje masive në transport, energji dhe aktivitetin e përditshëm të miliona banorëve.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat ndërkombëtare dhe autoritetet meteorologjike, mbi 8,000 fluturime janë anuluar deri tani në aeroportet kryesore të rajonit, ndërsa paralajmërimet për mot ekstrem mbeten aktive në disa shtete përgjatë vijës nga Karolina e Veriut deri në Maine.
Shërbimi Kombëtar i Motit bëri të ditur se disa zona kanë regjistruar nivele rekord reshjesh. Në Rhode Island dhe Massachusetts janë matur mbi 90 centimetra dëborë, ndërsa në Parkun Qendror të Nju Jorkut trashësia e borës ka kaluar 48 centimetra, duke e renditur këtë stuhi ndër më intensive të viteve të fundit.
Rhode Island është ndër territoret më të goditura, ku në Providence u regjistruan rreth 36 inç borë, duke thyer rekordin historik të vitit 1978. Autoritetet vendosën ndalim për udhëtimet jo thelbësore, masë që u aplikua edhe në Connecticut dhe më pas në Massachusetts, ndërsa guvernatorja Maura Healey paralajmëroi për kushte “whiteout”, kur dukshmëria bie pothuajse në zero.
Në Nju Jork u shpall gjendja e emergjencës, me mbyllje të përkohshme të rrugëve dhe urave dhe pezullim pothuajse total të trafikut ajror. Të dhënat e platformës FlightAware tregojnë se 98% e fluturimeve nga aeroporti LaGuardia dhe 91% nga JFK u anuluan. Në Boston, Logan International Airport anuloi mbi 90% të fluturimeve dalëse, ndërsa anulime masive u raportuan edhe në Newark dhe Filadelfia.
Stuhia ka shkaktuar edhe probleme serioze në furnizimin me energji, duke lënë pa elektricitet më shumë se 600,000 shtëpi dhe biznese. Massachusetts dhe New Jersey rezultojnë ndër zonat më të prekura, kryesisht për shkak të pemëve të rrëzuara dhe dëmtimeve në linjat e tensionit.
Ndërkohë, trafiku rrugor është paralizuar në disa qytete. Në Providence, qindra automjete u tërhoqën nga rrugët për parkim të gabuar, ndërsa shërbimet e emergjencës paralajmëruan se qasja në disa zona mbetet e vështirë për shkak të bllokimit të rrugëve.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke rritur mundësinë për anulime të tjera fluturimesh dhe ndërprerje të mëtejshme të shërbimeve. Meteorologët e konsiderojnë fenomenin tipik për dimrin në verilindje të SHBA-ve, por me intensitet të pazakontë këtë herë.
Ndërsa autoritetet dhe shërbimet publike vijojnë përpjekjet për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e energjisë, miliona banorë mbeten të izoluar në shtëpi ose të bllokuar në aeroporte, në një situatë që ka ndërprerë ritmin normal të jetës në shumë qytete të mëdha të rajonit. /skyweb.al















