Instituti Shqiptar i Medias ka botuar së fundmi manualin “Inteligjenca Artificiale në Gazetari”, një udhëzues praktik i dedikuar për gazetarët dhe redaksitë në Shqipëri, me fokus përdorimin etik dhe efektiv të teknologjive të reja në shërbim të komunikimit me audiencat.
Ky manual vjen si një përgjigje ndaj transformimeve të shpejta që inteligjenca artificiale po sjell në mënyrën se si prodhohet, përpunohet dhe shpërndahet informacioni.

Dokumenti synon të ndihmojë profesionistët e medias të kuptojnë më mirë mundësitë dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e këtyre teknologjive, duke vendosur njëkohësisht standarde të qarta për përdorimin e tyre në praktikën gazetareske.
Manuali ofron një qasje të strukturuar për integrimin e Inteligjencës Artificiale në redaksi, duke përfshirë udhëzime konkrete për përdorimin e saj në mbledhjen e informacionit, prodhimin e përmbajtjes, analizën e të dhënave dhe shpërndarjen e lajmit.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet transparencës, verifikimit të informacionit dhe mbikëqyrjes njerëzore, si elementë thelbësorë për ruajtjen e besimit të publikut.
I frymëzuar nga praktikat më të mira të redaksive europiane, manuali është hartuar nga Prof. Assoc. Erlis Çela dhe gazetari Emirjon Senja, duke sjellë një kombinim të qasjes akademike me përvojën praktike në terren.
Publikimi është realizuar në kuadër të projektit “Inteligjenca Artificiale në funksion të konsolidimit demokratik”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, duke synuar forcimin e standardeve profesionale dhe etikës në median shqiptare në një epokë të dominuar nga teknologjitë digjitale.
Manuali vjen pas Udhëzimeve për Përdorimin Etik të Inteligjencës Artificiale në median shqiptare.
Ky manual pritet të shërbejë si një referencë e rëndësishme për çdo redaksi dhe gazetar, duke kontribuar në ndërtimin e një qasjeje më të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale në gazetari. /skyweb.al
















