Detaje nga grabitja te OTP Bank/ Dyshohet se arma ishte lodër, hetohet pista e bashkëpunëtorit brenda bankës
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me grabitjen e ndodhur një ditë më parë te filiali i OTP Bank pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, ku një person i maskuar me skafandër arriti të marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Sipas informacioneve, dyshohet se pistoleta që mbante autori mund të ketë qenë lodër. Ky dyshim është ngritur pasi detektori statik në hyrje të bankës nuk ka regjistruar sinjal që të tregonte praninë e një arme reale.
Hetimet paraprake kanë nxjerrë gjithashtu dyshime për përfshirjen e një bashkëpunëtori brenda bankës.
Ky person dyshohet se i ka dhënë autorit udhëzimet e nevojshme për momentin e hyrjes në bankë dhe vendndodhjen e saktë të klientes që mbante paratë për depozitim.
Mësohet se shuma e grabitur ndaj klientes ishte rreth 50 milionë lekë të vjetra.
Paraditen e sotme, autoritetet njoftuan arrestimin e rojës së filialit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas njoftimit, ai nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura gjatë momentit të grabitjes.
Ky zhvillim ka zgjeruar hetimet edhe në drejtim të rolit të tij dhe mundësisë së bashkëpunimit me autorin.
Autori i grabitjes vijon të jetë në arrati. Pas ngjarjes, ai është larguar me një skuter elektrik, duke u futur në rrugicat e qytetit.
Forcat e rendit vijojnë operacionet për identifikimin dhe kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.
















