Po ëndërroni një arratisje evropiane, por jeni lodhur nga rekomandimet e zakonshme për Spanjën, Francën apo Italinë?, shkruan ”The Sun”.
Ekziston një vend që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje dhe që, përveç bukurive natyrore, ofron çmime të përballueshme dhe shumë më pak turma krahasuar me destinacionet e tjera të njohura evropiane.
Shqipëria ky destinacion në zemër të Evropës, po mahnit turistët: plazhe të virgjëra, male spektakolare dhe tradita autentike.
Sipas Granit Temajt, autor i librit “Wild Guide Albania”, i cili prej vitesh eksploron vendin, destinacioni më i mirë evropian për diell dhe det mund të gjendet në jug të Shqipërisë.
“Quhet Gadishulli i Karaburunit dhe aty do të gjeni disa nga plazhet më të bukura. Megjithatë, duhet të dini se nuk janë shumë të lehta për t’u arritur. Për shembull, aty ndodhet Gjiri i Gramës, një gji jashtëzakonisht i bukur dhe i paprekur”, thekson ai.
Ky vend është veçanërisht i njohur për shkëmbinjtë e tij madhështorë gëlqerorë dhe ujërat e kristalta. Mënyra më e mirë për të arritur në plazh është me varkë ose përmes një ecjeje në natyrë.
“Edhe Gjiri i Dafinës është një vend i mrekullueshëm. Është i paprekur dhe ka shpella gëlqerore”, shton ai.
Për familjet që nuk e kanë problem pak aventurë, ai rekomandon Gjipen, mes fshatrave Dhërmi dhe Himarë në Rivierën Shqiptare.
“Plazhi ndodhet vetëm pak minuta në këmbë nga rruga dhe është shumë e përshtatshme për familjarët.
Sipas tij, edhe veriu i vendit ka plazhe të jashtëzakonshme, ndër të cilat spikat Kepi i Rodonit.
“Lindja dhe perëndimi i diellit aty janë thjesht mahnitëse. Gjatë verës plazhet mund të jenë të mbushura, por jo aq sa në Itali, Francë apo Spanjë. Janë të mbushura sipas standardeve shqiptare”, thekson ai.
Shpesh, në një plazh mbërrijnë vetëm disa varka me turistë në ditë, ndaj nuk bëhet kurrë vërtet i mbipopulluar. Sipas Temajt, ajo që i bën këto vende edhe më të veçanta është fakti se mund të bësh kamping lirshëm pranë plazheve.
Në fakt, mund të bësh kamping pothuajse kudo në Shqipëri, pasi nuk ka shumë kufizime.
”Por Shqipëria nuk është vetëm plazhe. Malet e veriut përshkruhen shpesh si rivale të Dolomiteve, por janë më të egra dhe ende kryesisht të pazbuluara. Në këto zona malore, vizitorët mund të gjejnë fshatra të fshehur, përfshirë disa që ende nuk kanë energji elektrike. Shqipëria ka male të mrekullueshme. Kur njerëzit flasin për Shqipërinë, zakonisht përmendin plazhet e bukura, vijën bregdetare dhe ushqimin fantastik, por pak e dinë se çfarë pasurie malore ka vendi”, shton Temaj.
“Për mua, Shqipëria ka disa nga malet më të bukura në Evropë. Janë si Dolomitet, por shumë më të egra. Malet janë shumë më pak të eksploruara sesa plazhet”, shton ai.
Nëpër këto zona ndodhen dhjetëra shtigje për ecje, me panorama spektakolare dhe liqene të fshehura.
Një nga vendet që Temaj rekomandon është kompleksi i Liqeneve të Jezercës, ku gjenden gjashtë liqene akullnajore në zemër të Alpeve Shqiptare, pranë kufirit me Malin e Zi.
“Është vendi më i bukur, sepse je i rrethuar nga male dhe mund të kamposh aty”, thekson ai.
Një tjetër ndalesë e domosdoshme është fshati Lin, i konsideruar si fshati më i vjetër liqenor në Evropë.
Ai shtrihet në brigjet e Liqenit të Ohrit, një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë të kontinentit. Në fshat ka disa bujtina pranë ujit, ku vizitorët mund të shijojnë një zhytje freskuese në liqen.
Lini ofron gjithashtu vende të shumta arkeologjike për t’u eksploruar, përfshirë vendbanime palafite që datojnë nga 6 mijë deri në 8 mijë vjet më parë.
Në majë të kodrës së fshatit gjenden edhe mbetjet e një bazilike të krishterë të shekullit V, e zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh.
Për një destinacion më familjar dhe më pak të frekuentuar, Temaj sugjeron Liqenin e Shkodrës dhe fshatin Shirokë, që mund të kombinohen lehtësisht me një vizitë në qytetin e Shkodrës.
Shiroka përbën një bazë ideale për të eksploruar zonën. Mbi fshat ngrihen Vila Mbretërore e Mbretit Ahmet Zogu dhe Mali i Taraboshit, të cilët ofrojnë pamje mbresëlënëse.
Për adhuruesit e historisë, Shqipëria fsheh edhe një thesar të rrallë: një kishë antike, e konsideruar ndër më të vjetrat në botë.
Bëhet fjalë për Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses, në fshatin Labovë e Kryqit, e cila daton në shekullin VI.
“Ajo ndodhet shumë pranë kufirit grek, afër Gjirokastrës, dhe është aq e fshehur dhe pak e njohur, saqë shumë pak njerëz kanë dëgjuar për të, madje edhe vetë shqiptarët”, nënvizon Temaj.
Dhe çfarë mund ta bëjë këtë përvojë edhe më të veçantë? Një zhytje në traditat autentike shqiptare.
Nuk është sekret se shqiptarët e adhurojnë kafen. Vetëm në Tiranë numërohen rreth 8 mijë kafene, një nga përqendrimet më të larta të lokaleve të kafesë për frymë në Evropë.
Por shqiptarët kanë edhe një zakon të veçantë mëngjesi.
“Ne e pimë kafen me një gotë raki, zakonisht rrushi ose kumbulle, pa ngrënë asgjë më parë. Kjo është gjëja e parë që bëjnë shumë shqiptarë në mëngjes: pinë kafen e shoqëruar me një gotë të vogël raki”, thekson ai.
Kjo traditë lidhet me ritmin e ngadaltë të mëngjesit dhe me dëshirën për të kaluar kohë në shoqërinë e miqve apo familjarëve.
Origjina e saj daton që nga periudha e sundimit osman në Ballkan, kur tregtarët osmanë sollën kafen nga Jemeni në Stamboll.
Dashuria për këtë pije u përhap në të gjithë Perandorinë Osmane dhe shqiptarët nisën të hapnin kafene tradicionale, të cilat shërbenin si qendra të jetës shoqërore dhe komunitare.















