Tensionohet sërish situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ku punonjësit e kompanisë “Mabco”, të biznesmenit Behgjet Pacolli, janë rikthyer pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i njohu kompanisë të drejtën e administrimit.
Sipas informacioneve paraprake, punonjësit e “Mabco”-s kanë mbërritur në kantier, por janë penguar nga rojet e sigurisë për të hyrë brenda.
Situata është përshkallëzuar në tension fizik, ndërsa punonjësit kanë hyrë me forcë në ambientet e kantierit, duke shqyer derën hyrëse.
Pas hyrjes në kantier, ata janë përplasur me punonjësit e “2A Group”, kompanisë së Valon Ademit, e cila deri më tani kishte administruar punimet në aeroport.
Gjatë konfliktit, punonjësit e “Mabco”-s kanë nxjerrë jashtë nga zyrat përfaqësuesit e “2A Group”. Policia ka mbërritur në vendngjarje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Rikthimi i “Mabco”-s në kantier vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili i riktheu kompanisë së Behgjet Pacollit të drejtën e administrimit të projektit.
Përplasja mes palëve nuk është e re. Më herët, koncesionari i aeroportit, nën administrimin e kompanisë së Valon Ademit, kishte deklaruar se kishte ndërprerë kontratën me “Mabco”-n, me argumentin se kjo e fundit ishte vonuar në kryerjen e punimeve.
Nga ana tjetër, Behgjet Pacolli njoftoi të dielën se kompania e tij do të rikthehej në kantier, duke iu referuar vendimit të gjykatës.
Konflikti mes kompanive vjen në një moment kur Aeroporti i Vlorës është kthyer në një nga projektet më të diskutuara publike, për shkak të vonesave në përfundimin dhe vënien në funksion të tij.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama foli për problemet e brendshme mes kompanive, duke deklaruar se aeroporti nuk do të mbetet peng i mosmarrëveshjeve brenda koncesionarit dhe se projekti do të hapet patjetër. /skyweb.al
















