Rreth 30 studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur mbrëmjen e kaluar në spital me simptoma të dyshuara helmimi ushqimor, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi cilësinë e ushqimit që u shërbehet në institucion.
Sipas informacioneve paraprake, studentët janë ndjerë keq pasi kanë konsumuar vaktin e drekës të furnizuar nga kompania private e kateringut. Ata kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.
Ngjarja vjen vetëm dy muaj pas një rasti të ngjashëm, kur 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan gjithashtu, me dyshimet që ranë mbi ushqimin e ofruar nga kompania Sori-al, në pronësi të bashkëshortes së kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Pas incidentit të fundit, Policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur hetimet dhe po marrin në pyetje studentët për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përcaktuar burimin e helmimit.
Dyshimet kryesore mbeten te cilësia dhe siguria e ushqimit të shpërndarë brenda Akademisë, ndërsa edhe këtë herë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar vetëm pasi u raportuan rastet e helmimit. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një tjetër rast të helmimit nga ushqimi i kateringut.
















