Greva e punonjësve grekë ka sjellë këtë të hënë pezullimin e përkohshëm të lëvizjes në katër pika kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit njofton se në Kakavijë dhe Tre Urat në Përmet është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në të dy drejtimet.
Bllokimi në këto dy pika ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 11:00, me orën shqiptare.
Ndërkohë, në Kapshticë dhe Qafë-Botë pezullimi i hyrje-daljeve ka nisur më herët, që prej orës 05:00 të mëngjesit.
Në këto dy pika kufitare, qarkullimi pritet të rikthehet në orën 09:00. Policia Kufitare bën me dije se masa lidhet me grevën e punonjësve në palën greke dhe prek lëvizjen e mjeteve në të dy krahët e kufirit.
Sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, gjatë orarit të grevës lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët që nuk kanë bagazhe.
Përjashtim bëjnë gjithashtu rastet emergjente shëndetësore dhe ambulancat.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që kanë planifikuar të kalojnë kufirin gjatë këtyre orareve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të presin rikthimin e normalitetit në pikat kufitare. /skyweb.al
















