Kryeministri Edi Rama ka premtuar një pagë shtesë për forcat që do të angazhohen në luftën kundër zjarreve, ndërsa ka njoftuar se tre avionët e rinj për shuarjen e flakëve pritet të mbërrijnë vetëm në fund të vitit.
Duke folur përpara zjarrfikësve dhe trupave të Emergjencave Civile, Rama tha se procedura për blerjen e tre avionëve është mbyllur dhe se mjetet do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar.
“Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit dhe do të jenë në pronësi të shtetit tonë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, deri në mbërritjen e tyre, Shqipëria do të ketë mundësi të përdorë avionë të tjerë në raste nevoje të veçantë, në bazë të një marrëveshjeje të dakordësuar me partnerët.
Deklarata e kryeministrit zhvendos megjithatë afatin e paralajmëruar më herët për vënien në dispozicion të kapaciteteve ajrore kundër zjarreve.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kishte deklaruar më herët se avionët për shuarjen e zjarreve do të ishin gati gjatë kësaj vere, ndërsa tashmë afati i dhënë nga Rama është fundi i vitit.
Kjo do të thotë se edhe sezoni veror i këtij viti do të përballohet pa tre avionët e rinj në pronësi të shtetit, pavarësisht deklaratave të mëparshme se procesi ishte drejt përfundimit.
Paralelisht, Rama njoftoi edhe një masë financiare për forcat e angazhuara drejtpërdrejt në terren.
Sipas tij, personeli në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes që do të përfshihet në operacionet kundër zjarreve duhet të përfitojë menjëherë një pagë ekstra.
“Kam propozuar që të gjitha forcat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të përfshihen në këtë proces të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra”, tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje edhe bashkive që të aplikojnë të njëjtën skemë për zjarrfikësit dhe strukturat vendore të emergjencave, pa pritur përfundimin e sezonit të zjarreve.
Qeveria premton ndërkohë vijimin e investimeve në pajisje, kushte pune dhe kapacitete të reja për përballimin e emergjencave, por shtyrja e avionëve deri në fund të vitit lë sërish pikëpyetje mbi gatishmërinë ajrore gjatë muajve me rrezikun më të lartë nga zjarret.















