Shqipëria po përgatitet të krijojë për herë të parë Byrotë private të Kreditit, të cilat do të ndërtojnë një profil më të gjerë financiar për individët dhe bizneset dhe do të mund të prodhojnë edhe një “credit score”, ose renditje të besueshmërisë kreditore.
Projektligji i ri “Për Byrotë e Kreditit” i konsultuar nga skyweb.al, parashikon që vlerësimi i një qytetari të mos mbështetet vetëm te kreditë bankare, por te një gamë më e gjerë informacionesh mbi mënyrën se si ai përmbush detyrimet financiare.
Të dhënat mund të furnizohen nga bankat dhe institucionet financiare, por edhe nga Tatimet, bashkitë, kompanitë e sigurimit, energjisë elektrike, gazit, ujësjellës-kanalizimeve, komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe subjekte të tjera që ofrojnë mallra ose shërbime nga të cilat lindin detyrime për pagesë.
Historiku kreditor i një individi mund të përmbajë të dhëna për kreditë e kërkuara dhe të marra, shumën e detyrimit, afatet e pagesës, vonesat, detyrimet e prapambetura, mënyrën e mbylljes së një kredie, si dhe nëse detyrimi është shlyer plotësisht. Në profil mund të përfshihet edhe ekzistenca e detyrimeve tatimore të prapambetura ose pagesave të tjera të detyrueshme.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, Byrotë e Kreditit do të mund të krijojnë një renditje kreditore, duke përdorur modele statistikore, matematikore ose algoritmike. Projektligji kërkon që këto modele të jenë objektive, të verifikueshme dhe jodiskriminuese, ndërsa byrotë duhet të bëjnë publike kategoritë kryesore të faktorëve që ndikojnë në rezultat.
Në praktikë, një histori e mirë pagesash mund të kthehet në avantazh për qytetarin. Relacioni i projektligjit parashikon se individët dhe bizneset me histori të mirë financiare mund të kenë mundësi për norma interesi më të favorshme dhe procedura më të shpejta kredie.
Por edhe historia negative do të ketë peshë për një periudhë të gjatë. Të dhënat pozitive mund të ruhen deri në tre vjet pas përfundimit të marrëdhënies përkatëse, ndërsa informacioni negativ deri në pesë vjet pasi detyrimi është shlyer ose është shuar.
Qytetarët do të kenë të drejtë të kërkojnë raportin e tyre kreditor, të mësojnë nga cilat burime janë marrë të dhënat dhe kush e ka kontrolluar profilin e tyre. Ky informacion duhet të jepet brenda pesë ditësh dhe një herë në vit do të mund të merret pa pagesë.
Projektligji synon që sistemi i ri të funksionojë paralelisht me Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë, por duke sjellë një vlerësim shumë më të gjerë të sjelljes paguese të individëve dhe bizneseve. /skyweb.al















