Bashkimi Europian ka shtyrë përsëri hyrjen në fuqi të ETIAS, sistemit të ri elektronik të autorizimit të udhëtimit për shtetasit e vendeve që hyjnë pa vizë në zonën Schengen.
ETIAS pritej të niste në vitin 2027, por tashmë nuk ka një datë të re konkrete për fillimin e zbatimit.
Sistemi do t’u kërkojë udhëtarëve që aktualisht përfitojnë nga regjimi pa viza për qëndrime të shkurtra në Europë të marrin paraprakisht një autorizim elektronik udhëtimi.
Mes vendeve të prekura janë Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia, shtetasit e të cilave aktualisht mund të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në hapësirën Schengen.
Shtyrja lidhet me probleme teknike dhe vonesa në sistemet e reja europiane të menaxhimit dhe kontrollit të kufijve.
BE ka sqaruar se ETIAS nuk është ende funksional dhe aktualisht nuk pranohen aplikime. Data përfundimtare e nisjes pritet të njoftohet disa muaj përpara aktivizimit të sistemit.
Deri atëherë, udhëtarët që përfitojnë nga regjimi pa viza nuk duhet të aplikojnë dhe as të paguajnë për ETIAS.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj faqeve që pretendojnë se ofrojnë që tani aplikime ose autorizime ETIAS, pasi sistemi zyrtar ende nuk është hapur. /skyweb.al
















