Administrata Tatimore ka nisur një plan të posaçëm kontrolli për tregtinë dhe shërbimet online, me synim rritjen e formalizimit dhe verifikimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet që zhvillojnë aktivitet ekonomik në internet.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Plani Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Onlineparashikon shtimin e monitorimit dhe verifikimeve ndaj bizneseve që operojnë në këtë sektor.
Në fokus të administratës do të jenë veçanërisht shitjet online të mallrave, reklamimi online, telemarketingu, si dhe operatorët postarë dhe korrierët që lidhen me shpërndarjen e produkteve të porositura në internet.
Tatimet theksojnë se zgjerimi i aktivitetit ekonomik online duhet të shoqërohet me respektimin e detyrimeve fiskale dhe deklarimin e aktivitetit, në mënyrë që të garantohet konkurrencë e ndershme mes operatorëve.
Kontrollet synojnë të evidentojnë subjektet që ushtrojnë aktivitet në internet, por që mund të mos jenë të formalizuara ose të mos përmbushin plotësisht detyrimet tatimore.
Administrata u ka bërë thirrje bizneseve që operojnë në tregtinë dhe shërbimet online të marrin masat e nevojshme për të qenë në përputhje me legjislacionin tatimor.
Plani vjen në një kohë kur shitjet përmes faqeve online dhe rrjeteve sociale janë zgjeruar ndjeshëm, duke e kthyer këtë sektor në një nga fushat ku Tatimet po shtojnë vëmendjen për formalizimin e aktivitetit ekonomik.















