Disa nga destinacionet më të njohura të Greqisë po përballen me një nivel shumë të lartë përqendrimi turistik, duke kryesuar renditjen europiane për numrin e netëve të kaluara nga turistët në raport me popullsinë vendase.
Treguesi nuk mat numrin e turistëve për banor, por numrin total të netëve të qëndrimit në hotele dhe struktura akomoduese, të pjesëtuar me numrin e banorëve të zonës. Sa më i lartë ky raport, aq më i madh është presioni që turizmi ushtron mbi destinacionin.
Në vendin e parë në Bashkimin Europian renditet Egjeu Jugor, ku përfshihen ishuj të njohur si Santorini, Rodosi, Mykonos dhe Kos. Gjatë vitit 2024, rajoni regjistroi rreth 127 net qëndrimi turistësh për çdo banor.
Në total, Egjeu Jugor pati mbi 41.5 milionë net turistike, ndërsa popullsia e rajonit është vetëm rreth 326 mijë banorë. Kjo diferencë shpjegon edhe presionin e madh që turizmi sezonal ushtron mbi infrastrukturën, strehimin dhe shërbimet lokale.
Në vendin e dytë janë Ishujt Jonianë, ku bëjnë pjesë Korfuzi dhe Zakynthos, me rreth 103 net qëndrimi për banor.
Më pas renditet provinca italiane e Bolzanos, pranë Dolomiteve, me rreth 69 net për banor, ndërsa bregdeti kroat i Adriatikut, ku ndodhen Dubrovniku dhe Spliti, arrin në rreth 68 net.
Edhe Ishujt Balearikë të Spanjës, ku përfshihen Mallorca dhe Ibiza, janë mes zonave më të ngarkuara, me rreth 60 net turistike për banor.
Në listë gjendet gjithashtu Kreta, me afërsisht 56 net qëndrimi për çdo banor.
Shifrat tregojnë se fenomeni i “overtourism” nuk varet vetëm nga sa turistë vizitojnë një vend, por nga raporti mes numrit të tyre dhe popullsisë vendase. Një destinacion me pak banorë mund të përballet me presion shumë më të madh edhe kur numri absolut i vizitorëve është më i ulët se në qytetet e mëdha europiane.
Pikërisht për këtë arsye ishujt grekë dalin në krye të Europës: popullsi relativisht e vogël, por dhjetëra milionë net qëndrimi turistësh çdo vit. /skyweb.al















