Në ditët e nxehta, kur kondicioneri punon për shumë orë, një pakujdesi e thjeshtë mund të ulë ndjeshëm rendimentin e pajisjes dhe të rrisë konsumin e energjisë elektrike.
Problemi lidhet me mos pastrimin e filtrave.
Gjatë përdorimit, filtrat mbledhin pluhur, qime kafshësh dhe grimca të tjera që qarkullojnë në ajër. Me kalimin e kohës, papastërtitë krijojnë një shtresë që pengon kalimin normal të ajrit.
Si pasojë, kondicionerit i duhet të punojë më fort dhe për më shumë kohë për të arritur temperaturën e vendosur. Në rastet kur filtrat janë shumë të ndotur, rendimenti i pajisjes mund të bjerë deri në 50%.
Kjo nuk ndikon vetëm në freskimin e ambientit. Sa më gjatë të punojë kondicioneri për të arritur të njëjtin rezultat, aq më shumë energji elektrike konsumon. Gjatë muajve të verës, kjo mund të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e energjisë.
Sa shpesh duhen pastruar filtrat?
Nëse kondicioneri përdoret çdo ditë, filtrat këshillohet të kontrollohen dhe pastrohen çdo 15 deri në 30 ditë.
Në banesat me kafshë shtëpiake, me shumë pluhur ose ku kondicioneri qëndron i ndezur pothuajse gjatë gjithë ditës, kontrolli mund të jetë i nevojshëm edhe çdo javë.
Shenjat më të zakonshme të filtrave të ndotur janë:
- ambienti ftohet më ngadalë;
- ajri që del nga pajisja është më i dobët;
- ndihet erë pluhuri ose lagështie;
- kondicioneri bën më shumë zhurmë;
- konsumi i energjisë rritet pa ndryshuar koha e përdorimit.
Si pastrohen filtrat?
Para pastrimit, kondicioneri duhet të fiket dhe të shkëputet nga energjia elektrike. Filtrat hiqen nga njësia e brendshme duke ndjekur udhëzimet e prodhuesit.
Pluhuri mund të largohet fillimisht me një fshesë me korrent në fuqi të ulët. Nëse prodhuesi e lejon, filtrat mund të shpëlahen me ujë dhe me një sasi të vogël detergjenti të butë.
Duhet shmangur përdorimi i kimikateve të forta, sfungjerëve të ashpër dhe fërkimit të fortë, pasi mund të dëmtohet materiali.
Filtrat duhet të thahen plotësisht në hije përpara se të vendosen përsëri. Instalimi i tyre kur janë ende të lagësht mund të shkaktojë erë të pakëndshme dhe grumbullim lagështie brenda pajisjes.
Kur duhet thirrur tekniku?
Pastrimi i filtrave nuk zgjidh çdo problem. Nëse kondicioneri vazhdon të mos ftohë, bën zhurma të pazakonta, rrjedh ujë ose lëshon vazhdimisht erë të rëndë, duhet kontrolluar nga një teknik.
Problemi mund të lidhet me ventilatorin, sistemin e kullimit, baterinë e brendshme ose pjesë të tjera që nuk duhet të pastrohen nga përdoruesi.
Pastrimi i rregullt i filtrave mbetet ndër mënyrat më të thjeshta dhe më ekonomike për të përmirësuar punën e kondicionerit, për të ruajtur cilësinë e ajrit dhe për të frenuar konsumin e panevojshëm të energjisë. /skyweb.al















