Ndërtimi i autostradës Kashar–Rrogozhinë pritet të nisë brenda këtij viti. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e zbatimit, ndërsa faza e ardhshme do të jetë nisja e procedurave të shpronësimit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili deklaroi se janë përmbyllur detajet e fundit teknike të projektit.
“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit, i cili ka mbërritur sot në ministri, dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë fillimit të punimeve brenda këtij viti”, tha Karakaçi në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Autostrada e re do të ketë një gjatësi prej 33.5 kilometrash dhe do të ndërtohet sipas standardeve të kategorisë A. Ajo është pjesë e Korridorit Blu dhe do të shërbejë si vazhdim i aksit Thumanë–Kashar.
Sipas ministrit, segmenti do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet veriut dhe jugut të vendit, ndërsa pritet të lehtësojë trafikun në korridorin Tiranë–Durrës, një nga akset më të ngarkuara në Shqipëri.
Projekti është pjesë e paketës së investimeve rrugore ku përfshihen edhe Bypassi i Tiranës, Bypassi i Elbasanit, segmentet Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Rrogozhinë, si dhe autostrada Milot–Balldren.
“Ky është një projekt i rëndësishëm që do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, deklaroi Karakaçi.
Autostrada Kashar–Rrogozhinë do të realizohet me koncesion nga një bashkim kompanish i kryesuar nga “Gjoka Konstruksion”.
















