Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Vendimi është komunikuar gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkurë, duke i dhënë fund mandatit të saj relativisht të shkurtër në krye të Shëndetësisë.
Arsyet e largimit nuk janë bërë ende të ditura zyrtarisht. Megjithatë, mësohet se gjatë paraqitjes së dorëheqjes Sala ka deklaruar se do t’i rikthehet karrierës akademike.
Evis Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë në shtator 2025, si pjesë e kabinetit të mandatit të katërt të kryeministrit Edi Rama.
Në prezantimin e saj, Rama vuri theksin te profili profesional dhe përvoja ndërkombëtare e Salës, e cila kishte zhvilluar një karrierë të gjatë jashtë Shqipërisë.
Sala është mjeke radiologe dhe ka punuar në institucione të njohura, si Universiteti i Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe Poliklinika Gemelli në Romë. Ende nuk është bërë i ditur emri që do ta zëvendësojë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. /skyweb.al















