Kompanitë e sigurimeve kanë paguar mesatarisht rreth 175 mijë lekë për çdo dëm të shkaktuar ndaj automjeteve nga aksidentet apo ngjarjet e tjera gjatë periudhës janar–korrik 2026.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmi mesatar i paguar nga sigurimet motorike është rritur me afro 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e faturës lidhet edhe me shtimin e aksidenteve rrugore. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë regjistruar 110 aksidente më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose një rritje prej rreth 10%.
Mes produkteve të sigurimit motorik, vetëm MTPL-ja e brendshme, sigurimi i detyrueshëm për automjetet, ka regjistruar rritje të dëmit mesatar të paguar.
Në të kundërt, dëmi mesatar ka rënë te sigurimi Kasko, Kartoni Jeshil dhe sigurimi kufitar. Kjo tregon se rritja është përqendruar kryesisht tek aksidentet e automjeteve që qarkullojnë brenda vendit.
Ndërkohë, dëmi mesatar i paguar nga sigurimet e jetës dhe shëndetit ka zbritur në rreth 91 mijë lekë, duke shënuar një rënie prej afro 8% në krahasim me një vit më parë.
Edhe kjo e hënë nisi me një bilanc tragjik në rrugët e vendit, me dy viktima dhe nëntë të plagosur nga aksidentet. Shifrat tregojnë se sigurimi mbetet i rëndësishëm për mbulimin e pasojave financiare, por parandalimi i viktimave varet para së gjithash nga përgjegjshmëria dhe kujdesi i drejtuesve të mjeteve. /skyweb.al
















